
Në një reagim në rrjetet e saj sociale, Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, u shpreh se 3.8 miliardë euro të shpenzuara për “rrugë të florinjta” në vetëm dy vite kanë përfunduar të jenë rrugë të dëmtuara, pa standarde dhe të pasigurta për qytetarët.
Sipas saj, problemet nuk vijnë nga moti apo gjeologjia, por nga korrupsioni i qeverisë së Edi Rama.
Xhixho përmendi disa projekte problematike si Qukës–Qafë Plloçë, Rruga e Arbrit dhe Tuneli i Llogarasë, duke theksuar se kostot janë fryrë dhe cilësia është e ulët.
Xhixho akuzon qeverinë dhe Belinda Ballukun, duke theksuar se dështimi i këtyre rrugëve nuk është pasojë e motit apo gjeologjisë, por i korrupsionit të tyre.
Postimi i Plotë:
Një shumë rekord që në çdo vend normal do të sillte rrugë moderne, të sigurta dhe me standarde europiane. Por në Shqipëri po ndodh e kundërta: rrugë të shtrenjta, pa standarde, që shemben para syve të qytetarëve. Me dyfishin e buxhetit, sot nuk kemi as gjysmën e cilësisë së rrugëve të Kosova.
Çdo ditë një rrugë e re çahet apo rrëshqet. Pedonalja e Golemit është vetëm rasti i fundit që tregon cilësinë skandaloze të punimeve, ndërsa kostot janë fryrë për të mbushur xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe klientëve të qeverisë.
Nuk është faji i motit.
Nuk është faji i gjeologjisë.
Është faji i korrupsionit qeveritar të Edi Ramës dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Le t’i kujtojmë këto shifra që tregojnë qartë dimensionin e këtij abuzimi dhe që sot janë të shembura ose jashtë funksionit:
Korçë–Ersekë: 88 milion €
Maliq–Lozhanë: 14 milion €
Qukës–Qafë Plloçë: 316 milion €
Elbasan–Qafë Thanë: 100 milion €
Rruga e Arbrit: 400 milion € (tuneli fut ujë)
Tuneli i Llogarasë: 180 milion € (tuneli fut ujë)
Unaza e Burrelit: 1.3 milion €
Më 28 shkurt, të gjithë bashkë kundër kësaj qeverie që zhvat popullin më të varfër në Europë.