Vendosni fjalën kyçe....

Barcelona dyfishon taksën e turizmit për të financuar strehimin


Barcelona ka vendosur të rrisë ndjeshëm taksën e turizmit, duke e çuar atë në një nga nivelet më të larta në Evropë. Sipas masës së re, vizitorët mund të paguajnë deri në 15 euro për natë, ndërsa autoritetet synojnë të frenojnë fluksin turistik dhe të sigurojnë fonde për strehim me kosto të përballueshme.

Vendimi vjen në një klimë tensionesh në rritje në Katalonjë, ku banorët kanë protestuar kundër mbipopullimit turistik, duke argumentuar se ai po nxit rritjen e çmimeve të banesave dhe përhapjen e qirave afatshkurtra për pushime.

Parlamenti rajonal miratoi dyfishimin e taksës për qiratë turistike, duke e rritur nga 6.25 euro në 12.5 euro për natë. Kjo masë paraprin një plan tashmë të shpallur për ndalimin e plotë të akomodimeve me qira afatshkurtër deri në vitin 2028.

Për hotelet, tarifa do të rritet nga prilli, duke arritur në 10 deri në 15 euro për natë, krahasuar me intervalin aktual prej 5 deri në 7.5 euro, në varësi të kategorisë. Për shembull, një çift që qëndron dy netë në një hotel me katër yje – kategori që përfaqëson gati gjysmën e strukturave hoteliere në qytet – mund të paguajë deri në 45.60 euro shtesë, pasi autoritetet vendore kanë të drejtë të aplikojnë deri në 11.4 euro për person për natë.

Vizitorët e hoteleve me pesë yje do të paguajnë maksimumin prej 15 euro për natë, ndërsa pasagjerët e anijeve turistike do të vazhdojnë të tarifohen me rreth 6 euro.

Sipas ligjit të miratuar, një e katërta e të ardhurave nga kjo taksë do të dedikohet për përballimin e krizës së strehimit në qytet.

Reagimet janë të ndara. Irene Verrazzo, një infermiere 33-vjeçare nga Italia, u shpreh se qyteti është tashmë i shtrenjtë dhe se rritja e kostove mund ta pengojë të rikthehet. Nga ana tjetër, Ivan Liu, 21 vjeç, student dhe banor i Barcelonës, vlerësoi se edhe pse masa nuk do ta zgjidhë plotësisht krizën e strehimit, rritja e taksës është e arsyeshme.

Para kësaj rritjeje, Barcelona renditej e 11-ta në klasifikimin e vitit 2025 të platformës Holidu për taksat turistike në Evropë, pas Amsterdam, ku vizitorët paguajnë mesatarisht 18.45 euro në ditë – niveli më i lartë në kontinent.

Industria hoteliere shpreh shqetësim se rritja mund të ndikojë negativisht në fluksin prej rreth 15.8 milionë turistësh që vizitojnë qytetin çdo vit. Barcelona konsiderohet ndër katër destinacionet kryesore globale për organizimin e konventave, sipas bordit lokal të turizmit, dhe pjesëmarrësit në këto aktivitete nuk do të përjashtohen nga tarifa.

Manel Casals, drejtor i përgjithshëm i shoqatës së hotelierëve të Barcelonës, deklaroi se propozimet për një rritje graduale të taksës, me qëllim vlerësimin e ndikimit të saj, nuk u morën në konsideratë. Sipas tij, ekziston rreziku që masat e ashpra të dëmtojnë një sektor që përbën një burim thelbësor të ardhurash për qytetin, shkruan Reuters.