Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali nesër vizitë zyrtare në Kosovë


Spiropali do shkojë nesër në Kosovë në një vizitë zyrtare. Pas takimit me homologun, ministrin e Jashtëm Konjufca, shefja e diplomacisë do takojë presidenten Osmani, kryeministrin Kurti e kryetaren e Kuvendit Haxhiu.

Në kuadër të vizitës, parashikohen edhe takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare: kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj.

Diskutimet do përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, riaktivizimin e mekanizmave institucionalë dhe përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë projektet strategjike si hekurudha Durrës–Prishtinë, zhvillimin e infrastrukturës dhe projekteve të përbashkëta energjitike, si dhe koordinimin për mbështetjen e faktorit shqiptar në rajon dhe angazhimin me diasporën.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Spiropali pritet të riafirmojë mbështetjen e Shqipëri për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, shtimin e njohjeve të reja, anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe për avancimin e integrimit euroatlantik të saj.