
Sipas kreut të Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, shembja e rrugës Librazhd-Përrenjas dhe hekurudhës ngjitur ka ndodhur për shkak të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin.
Ai shtoi gjithashtu se masivi që ka rrëshqitur në zonë është aktivizuar 30 vite më parë.
“Segmenti hekurudhor Elbasan-Pogradec ndodhet në këtë fazë të dytë. E gjithë linja ka që në 2012 që nuk përfshihet nga operimi dhe monitorohet herë pas here nga vrojtuesit e mjeteve që bëjnë raportim mujor në Drejtorinë e Infrastrukturës. Në kilometrin 103-700 në Dragostunjë, pjesë e këtij segmenti, si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, kemi pasur problematika të shtuara në këtë kilometër, ku unë do të shtoja masivi, jo rruga apo hekurudha, masivi i asaj zone ka një rrëshqitje që është e aktivizuar me 30 vite përpara. Ky masiv, i ngarkuar nga shirat e 4 muajve të fundit, bëri të mundur nga shumë faktorë të ndryshëm, si shiu, volumetria e të qenit në këtë kilometër, si dhe lumi Shkumbin me rritje të shtratit dhe përplasje me shtratin e hekurudhës, bëri të mundur planin rrëshqitës. Gjithë strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme. Ne do marrim hapat tona, të krijimit të asaj rrugës permanente për pjesën e shtratit lumor. Do marrim masa për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shtrat, duke bërë prita në Shkumbin. Lehtësimi i shpatit të malit është shumë i nevojshëm, për të mos u përfshirë në planin e rrëshqitjes. Në studimet gjeologjike ne do të përftojmë koeficentin e fërkimit, sigmën, planin e rrëshqitjes, gjithë këto elementë që ne do të na duhen për të projektuar rrugën e re provizore, apo rrugën e re të Korridorit VIII”, tha Verdho.