
Përfaqësues të SHBA-së, Greqisë dhe disa vendeve të Ballkanit e Evropës Lindore ranë dakord në Uashington të shqyrtojnë dhe, kur të jetë e nevojshme, të përshtasin rregulloret dhe tarifat e importit, me qëllim lehtësimin e hyrjes së gazit natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në rajon.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit theksohet synimi për të forcuar qëndrueshmërinë e tregjeve të gazit, duke shfrytëzuar maksimalisht infrastrukturën ekzistuese dhe duke realizuar investime shtesë aty ku kërkohet për të rritur kapacitetet e dërgesave.
Në bisedime morën pjesë ministra dhe përfaqësues nga Greqia, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia, Moldavia, Ukraina, Kroacia, Lituania, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas deklaratës, vendet angazhohen të rrisin transparencën në tregjet e gazit, të harmonizojnë shkëmbimet, të krijojnë korniza tarifore më efikase dhe të reduktojnë ose eliminojnë pengesat rregullatore që mund të frenojnë importet, ndërtimin e infrastrukturës së re dhe stabilitetin afatgjatë të tregtisë së gazit natyror, shkruan Ekathimerini.
Po ashtu, palët u zotuan të mobilizojnë financime publike dhe private, përfshirë agjenci të kreditimit të eksporteve dhe institucione shumëpalëshe financiare, për të garantuar furnizim të sigurt dhe me kosto të përballueshme në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Një element kyç i diskutimeve ishte mbështetja e Greqia për korridorin vertikal të gazit, i cili parashikon transportimin e LNG-së amerikane nga porti i Aleksandrupoli, përmes Ballkanit dhe Evropës Lindore, drejt Ukrainës. Megjithatë, një sfidë e mundshme e projektit mbetet niveli i tarifave, veçanërisht duke pasur parasysh se në fazën fillestare do të përdoren tubacione ekzistuese të projektuara për transportin e gazit rus drejt jugut.