
Vrasja e njw kreu famëkeq të njw karteli droge nga qeveria meksikane është një nga fitoret më të mëdha të presidencës së Claudia Sheinbaum-it. Por wshtë gjithashtu një nga bastet e saj më të rrezikshme.
Operacioni kundër Nemesio “El Mencho” Oseguera-s, kreut të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliskos (CJNG), duhet të lehtësojë disi presionin nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka kërcënuar me sulme me dronë brenda Meksikës nëse vendi nuk merr masa ndaj trafikut të fentanilit.
Por kjo lëvizje ka krijuar gjithashtu rreziqe politike dhe sigurie brenda vendit.
Anëtarët e CJNG-së nisën një valë dhune të egër pas vdekjes së Oseguera-s, duke u vënë zjarrin makinave, dyqaneve dhe bankave, si dhe duke bllokuar 250 rrugë në 20 shtete. Në shtetin e Jaliskos, 25 anëtarë të Gardës Kombëtare mbetën të vrarë.
Dhuna u fashit të hënën, por ekspertët e sigurisë thonë se kërcënimi është larg fundit, pasi ngjarjet në veri të vendit tregojnë se një kartel pa kokë mund të jetë një bishë edhe më e rrezikshme. Për më shumë se një vit, fraksionet rivale të kartelit të Sinaloas kanë shkaktuar kaos në një luftë civile të përgjakshme pas kapjes së një prej krerëve të tij.
Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, tha të hënën se ata ishin “të përgatitur” për “çdo lloj reagimi apo ristrukturimi që mund të ketë në kartel, veçanërisht ato të dhunshme”.
Gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2024, Sheinbaum kritikoi partitë e opozitës së krahut të djathtë për promovimin e një “lufte kundër narkosve”. Ajo mbrojti politikën e sigurisë “përqafime, jo plumba” të mentorit dhe paraardhësit të saj, Andrés Manuel López Obrador, e cila shmangte përplasjen e drejtpërdrejta me bandat në favor të trajtimit të shkaqeve rrënjësore të krimit.
Por që nga marrja e detyrës atë vit, ajo ka përmbysur në heshtje strategjinë e López Obrador-it, me një rritje dramatike të arrestimeve, sekuestrimeve të drogës dhe ekstradimeve, si dhe me zgjerimin e rrjetit të inteligjencës.
“Rezultatet gjatë vitit të saj të parë në detyrë kanë qenë të jashtëzakonshme,” tha Lila Abed, drejtoreshë e programit për Meksikën në institutin “The Dialogue”.
Harfuch, të cilin CJNG-ja u përpoq ta vriste në vitin 2020 kur ai ishte shef i policisë së kryeqytetit Meksiko Siti, ka mbikëqyrur ekstradimin e 92 anëtarëve të lartë të kartelit drejt SHBA-së, arrestimin e 29,000 personave për vepra të rënda penale dhe sekuestrimin e 3.5 milionë pilulave fentanil, sipas shifrave të qeverisë.
Kapja e Oseguera-s, e cila u mbështet pjesërisht në inteligjencën e SHBA-së, ka marrë “një njohje reale në Uashington”, shtoi Abed.
“Por vetëm koha do e tregojë nëse presidenti Trump do vijojë të kërkojë më shumë. Nëse më pyesni mua, mendoj se do ta bëjë.”

Vrasja do vërë gjithashtu në qendër të vëmendjes vullnetin politik të presidentes për të luftuar grupet e krimit të organizuar, të cilët analistët thonë se mbrohen nga zyrtarë në çdo nivel të qeverisë, përfshirë edhe brenda lëvizjes së krahut të majtë të Sheinbaum-it, “Morena”.
“Presidentja përballet me një dilemë gjigante,” tha María Teresa Martínez Trujillo, profesore në Universitetin Tecnológico de Monterrey dhe bashkëthemeluese e qendrës së kërkimit për sigurinë Noria MXCA.
“Si stratege e sigurisë, ajo ka një mundësi të vërtetë për të çuar para luftën kundër grupeve kriminale, por si politikane, ajo mund të dëshirojë të shmangë goditjen e strukturave politike dhe ekonomike që mbështesin CJNG-në,” shtoi ajo.
Brenda vendit, meksikanët paralajmërojnë se e ashtuquajtura strategji e “kokës së kartelit”, e cila qëndron në eliminimin e krerëve, historikisht ka çuar në rritje të dhunës.
Disa ekspertë thonë se struktura e CJNG-së e bën rrezikun e një copëtimi kaotik veçanërisht të lartë. Oseguera, i cili kishte një shpërblim prej 15 milionë dollarësh nga SHBA për kokën e tij, mbikëqyrte një operacion me rreze të gjerë, të pranishëm në shumicën e 32 shteteve të Meksikës, me qendër në Jalisko në bregun e Paqësorit.
Nën udhëheqjen e tij, CJNG-ja u zgjerua me shpejtësi që nga themelimi në vitin 2009, duke mbushur boshllëqet e lëna nga kartelet e vjetër që u tkurrën dhe duke grumbulluar fitime të mëdha nga tregtia e re e opioideve sintetike të fuqishme. Përveç trafikimit të drogës drejt SHBA-së, grupi është një lojtar i madh në zhvatje, trafikim armësh dhe vjedhje karburanti.
Karteli kontrollon rreptësisht disa shtete dhe zotëron rrugët e trafikimit në të tjerat, ndërsa diku tjetër ka krijuar aleanca lokale ose ka hyrë në luftë kundër fuqive dominuese, sipas konsulentit të sigurisë Eduardo Guerrero.
“Kjo ka një përfshirje të qartë: një ofensivë ballore mund të përshkallëzojë luftërat lokale, të nxisë të reja dhe të përfundojë duke rritur pikërisht atë që ata duan të ulin, vrasjet, zhdukjet, zhvendosjen e detyruar dhe pasigurinë ekonomike,” shkroi Guerrero në gazetën “El Financiero” këtë muaj.

Oseguera mbante një profil të ulët në krahasim me bosët e tjerë të kartelave më ekstravagantë që bënë bujë globale në dekadat e kaluara, por ai përfundimisht u gjurmua pasi inteligjenca ushtarake e Meksikës ndoqi njërën nga të dashurat e tij, sipas ministrit të Mbrojtjes, Gjeneral Ricardo Trevilla Trejo.
Muajt e ardhshëm do jenë prova e forcës së rrjeteve hetimore dhe të inteligjencës që Harfuch ka punuar për të zhvilluar, dhe mund të jenë politikisht vendimtarë për Sheinbaum-in. Siguria është shqetësimi kryesor i votuesve meksikanë.
“Nëse ajo arrin të mbajë nën kontroll pasojat nga procesi i pasardhësit të CJNG-së dhe të shmangë zgjerimin e konfliktit, kjo do forconte narrativën se ajo ka marrë kontrollin e vendit,” tha Armando Vargas, kreu i programit të sigurisë në institutin “México Evalúa”.
“Nëse jo, ajo do përballej me sfidën e saj të parë të madhe, duke i dhënë formë diskutimit publik rreth sigurisë.”
Sheinbaum ka trashëguar një panoramë të vështirë. Forcat e policisë lokale në të gjithë Meksikën janë të nënfinancuara dhe bashkëpunimi me grupet kriminale është i përhapur.

Armët e paligjshme vijuan të vërshonin nga kufiri verior i Meksikës, ku rreth 80 për qind e 23,000 armëve të sekuestruara nën qeverisjen e Sheinbaum-it e kishin origjinën nga SHBA, tha Trevilla të hënën, duke përfshirë shumë nga ato të përdorura nga eskortat e sigurisë së Oseguera-s të dielën.
Por shumë analistë thonë se pengesa më e madhe me të cilën përballet Sheinbaum është korrupsioni i krerëve politikë nga krimi i organizuar.
Sheinbaum ka trumbetuar disa arrestime, duke përfshirë kryetarin e bashkisë së Tequila-s nga partia Morena, nën akuzat për rrëmbim dhe krim të organizuar (të cilat ai i mohon), si provë se ka “zero pandëshkueshmëri” në qeverinë e saj. Por disa figura të larta të Morena-s në Kongres dhe qeveri janë akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe nuk janë përballur me asnjë akuzë.
“Kemi parë arrestime të disa njerëzve të nivelit të lartë, por asnjë ndjekje penale të vërtetë,” tha Cecilia Farfán-Méndez, drejtoreshë në Nismën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.
“Sheinbaum tani ndodhet në një udhëkryq. Së shpejti mund të shohim nëse ajo është vërtet e gatshme të shkojë deri në fund të kësaj rruge.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times