Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Balluku rrezikon 35 vite burg, PS nuk e mbron dot më



Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaron se Partia Socialiste nuk e mbron dot më zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pas deklaratave të bëra nga prokurorët e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku është kërkuar arrestimi i saj.

Në një reagim në rrjetet sociale, Shehaj i referohet deklaratës së një prokurori të SPAK, sipas të cilit elementë të krimit të organizuar apo anëtarë të kabinetit të Ballukut kanë kërcënuar dëshmitarët dhe kanë tentuar t’i blejnë ata gjatë hetimeve.

Po ashtu, ai shprehet se, sipas SPAK, pozitat e Ballukut janë rënduar me vijimin e hetimeve, duke pretenduar se ajo rrezikon deri në 35 vite burg.

“Dëshmitarët e Belinda Ballukut janë kërcënuar nga elementë të krimit të organizuar. Jo vetëm kaq, por anëtarë të kabinetit të Ballukut kanë kërcënuar dëshmitarët dhe kanë tentuar t’i blejnë ata. Këtë ka thënë sot Prokurori i SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Jo vetëm kaq, por Belinda Balluku rrezikon plot 35 vite burg për atë që ka bërë”, shprehet Shehaj.

Sipas kreut të Mundësisë, zyrtarët e korruptuar e kanë të humbur betejën me drejtësinë. “E keni kot! Belinda Balluku është e pambrojtshme. Të korruptuarit e kanë të humbur betejën me drejtësinë, sepse kjo është ajo çfarë ka vendosur Perëndimi: ndëshkimin e të korruptuarve dhe një Shqipëri normale!”, shkruan ai.