
Ushtria amerikane njoftoi të hënën se ka kryer një tjetër sulm ndaj një mjeti lundrues të dyshuar për trafik droge në rajonin e Karaibeve, duke vrarë tre persona që i cilësoi si “narko-terroristë”, përcjell DW.
Në një deklaratë në rrjetin X, United States Southern Command bëri të ditur se anija operohej nga një organizatë e shpallur terroriste dhe po lëvizte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të narkotikëve. Nuk u specifikua se për cilin grup bëhej fjalë, ndërsa u theksua se asnjë ushtarak amerikan nuk u lëndua gjatë operacionit.
Ky sulm vjen pas një tjetër operacioni vdekjeprurës të kryer të premten në Oqeanin Paqësor lindor. Sipas autoriteteve amerikane, që nga shtatori janë realizuar të paktën 44 sulme në Karaibe dhe në Paqësorin lindor, ku janë vrarë mbi 150 persona të cilësuar si “narko-terroristë”.
Administrata e presidentit Donald Trump argumenton se këto veprime janë të domosdoshme për të frenuar rrjedhën e narkotikëve drejt Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe efektivitetin e këtyre sulmeve, duke theksuar se pjesa më e madhe e fentanilit që lidhet me mbidozat fatale në SHBA trafikohet përmes tokës nga Meksika, ku prodhohet me kimikate të importuara nga Kina dhe India.