Vendosni fjalën kyçe....

Shfrytëzonin një shtetase të huaj për prostitucion, arrestohen dy persona në Tiranë


Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Network 3”, duke arrestuar dy persona që shfrytëzonin për prostitucion një shtetase nga Azerbajxhani në një apartament me qira në rrugën “Mihal Guri”.

Gjatë operacionit u sekuestruan një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe katër telefona celularë.

Njoftimi:

“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Netëork 3”, pas një hetimi të kryer me metoda proaktive.

Shfrytëzonin 1 shtetase të huaj, për prostitucion, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Procedohet penalisht dhe shtetasja e huaj që ushtronte prostitucion.

Sekuestrohen një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe 4 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Network 3”. 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit R. F., 20 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion një shtetase nga Azerbajxhani, e cila e ushtronte prostitucionin në një apartament me qira në rrugën “Mihal Guri”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe 4 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”