
SHBA-ja po finalizon një marrëveshje bashkëpunimi bërthamor prej shumë miliardë dollarësh me Arabinë Saudite, e cila mund t’i mundësojë mbretërisë të ndërtojë pajisjen me armë bërthamore, ka paralajmëruar Shoqata për Kontrollin e Armëve (ACA), ndërkohë që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënon me sulme të reja ndaj Iranit për ta detyruar atë të braktisë pasurimin e uraniumit.
Vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Riadi finalizuan një kornizë të kërkuar prej kohësh për bashkëpunimin civil bërthamor, duke lejuar kompanitë amerikane të bëjnë oferta për reaktorët e parë të Arabisë Saudite. Marrëveshja do hapte rrugën për një ‘Marrëveshje 123’ midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite, duke mundësuar transferimin e teknologjisë, pajisjeve dhe materialeve bërthamore amerikane – potencialisht me vlerë dhjetëra miliarda dollarë. Administrata Trump i dërgoi Kongresit një raport fillestar të kornizës në nëntor.
Megjithatë, marrëveshja e propozuar nuk ka mbrojtje strikte kundër përhapjes bërthamore dhe mund të hapë derën për pasurimin e uraniumit nga sauditët, paralajmëroi të enjten ACA, e cila inspektoi raportin. Raporti “ngre shqetësime se administrata Trump nuk i ka konsideruar me kujdes rreziqet e përhapjes” apo precedentin që do krijonte, paralajmëroi Kelsey Davenport, drejtuese e politikës së mospërhapjes në këtë grup.
Davenport i bëri thirrje Kongresit të shqyrtojë me imtësi marrëveshjen, duke vënë në dukje se ajo do binte ndesh me kërkesat e kamoshtme të SHBA-së që çdo marrëveshje të ndalojë pasurimin dhe ripërpunimin saudit – rrugë potenciale drejt armëve – dhe të kërkojë monitorim ndërhyrës nga mbikëqyrësit ndërkombëtarë.
Administrata pritet të dorëzojë marrëveshjen në Kongres në fund të shkurtit, duke nxitur një periudhë rishikimi 90-ditore, gjatë së cilës ajo do të hynte në fuqi nëse të dyja dhomat nuk e bllokojnë atë.
Arabia Saudite thotë se nuk kërkon armë bërthamore dhe dëshiron reaktorë për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të ruajtur naftën për eksport. Megjithatë, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman ka paralajmëruar më parë se Riadi do ndërtojë armë bërthamore nëse Irani e bën këtë, shkruan Rt.