Vendosni fjalën kyçe....

“Mobilizoni të gjitha forcat”- Berisha njofton protestën e rradhës më 28 shkurt


Partia Demokratike ka njoftuar se më 28 shkurt do të zhvillojë protestën e radhës në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.

Përmes një mesazhi të shpërndarë në WhatsApp, kreu i PD-së Sali Berisha u ka bërë thirrje strukturave dhe mbështetësve të partisë që të mobilizohen maksimalisht për pjesëmarrje masive në protestë.

Berisha e cilësoi protestën e 20 shkurtit si një “fitore të rëndësishme” dhe kërkoi që energjia e saj të shërbejë për organizimin e tubimit të radhës, duke ftuar anëtarët e PD-së të trokasin “në çdo derë” për të siguruar pjesëmarrje të gjerë qytetare.

Mesazhi i plotë i Sali Berishës në Whatsapp:

…kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive,

anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve tanë!

Të dashur miq,

Me këtë mesazh dua t’ju përgëzoj përzemërsisht të gjithëve për suksesin e ri shumë të rëndësishëm që arritëm më 20 shkurt, falë angazhimit, përkushtimit, guximit dhe vendosmërisë suaj.

Dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore. Jehona e këtij suksesi pushtoi dje, me shpejtësi të pashembullt, hapësirën e komunikimit si dhe mendjet e zemrat e shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën.

Ndaj, duke filluar nga nesër, me energjinë dhe frymëzimin e 20 shkurtit, të nisim me përkushtim betejën e ardhshme! Të trokasin në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt.

Kjo është përparësia jonë! Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni!

Përshëndetje të përzemërta.

Fitore!

Miqësisht,

Sali Berisha

Ps Ora, vendi do ju njoftohen te henen