
Videoja e parë e publikuar në YouTube po konsiderohet tashmë si pjesë e trashëgimisë digjitale me vlerë muzeale. Një ekspozitë e re në Victoria and Albert Museum (V&A) në Londër rikthen në vëmendje momentin kur platforma nisi rrugëtimin e saj më shumë se dy dekada më parë.
Sipas muzeut, është rikonstruktuar një version i hershëm i faqes së shikimit në YouTube, së bashku me videon e parë të ngarkuar në platformë nga bashkëthemeluesi Jawed Karim. Videoja, e titulluar “Me at the zoo”, paraqet Karim, atëherë 25 vjeç, në San Diego Zoo, duke folur për elefantët. Klipi zgjat 19 sekonda dhe që nga publikimi më 23 prill 2005 është parë rreth 382 milionë herë dhe ka marrë mbi 18 milionë pëlqime.
Në video, Karim komenton me humor: “Gjëja e bukur te këta është se ata kanë feçka vërtet, vërtet, vërtet të gjata.”

Ekipi i konservimit digjital në V&A ka punuar për 18 muaj për të rindërtuar dizajnin dhe përvojën e platformës sipas pamjes së saj më 8 dhjetor 2006, data më e hershme e dokumentuar online. Për projektin, muzeu bashkëpunoi me ekipin UX të YouTube dhe studion londineze të dizajnit të ndërveprimit Oio, shkruan CNN.
Videoja inauguruese është ekspozuar në galerinë “Design 1900–Now” në V&A South Kensington, ndërsa procesi i rikonstruktimit do të prezantohet në një ekspozitë të veçantë në V&A East Storehouse në Stratford.
Shefi ekzekutiv i YouTube, Neal Mohan, u shpreh se rikonstruksioni nuk paraqet vetëm një video, por rikthen publikun në fillesat e një fenomeni kulturor global. Ndërsa kuratorja e lartë e dizajnit dhe digjitales në V&A, Corinna Gardner, theksoi se kjo pamje e hershme e YouTube përfaqëson një moment kyç në historinë e internetit dhe të dizajnit digjital.
Sot, YouTube mbetet një hapësirë e rëndësishme për artin dhe kulturën, ku përmbajtjet origjinale nga muze dhe galeri shpesh konkurrojnë me platformat tradicionale të transmetimit.