
Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, akuzoi ministren e Jashtme Elisa Spiropali dhe mazhorancën gjatë seancës plenare, duke pretenduar se politika e jashtme shqiptare është vënë në funksion të interesave personale dhe jo të interesit publik.
Duke iu referuar pranisë së Kryeministrit Edi Rama në një bord ndërkombëtar të paqes, Shehaj u shpreh se situata në radhët e mazhorancës ishte e tensionuar.
“Ishit në shok. Mazhoranca dridhej nga ankthi me sytë në telefon. Do e shpëtonte Trump-Ramën, apo jo?”, deklaroi ai nga foltorja e Kuvendit.
Shehaj theksoi se, sipas tij, interesi i shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Evropian dhe mbështetja e reformës në drejtësi, ndërsa akuzoi qeverinë se po vepron në të kundërtën.
Ai shtoi se sulmet ndaj drejtësisë dhe përpjekjet për ta kufizuar atë dëmtojnë rrugën europiane të vendit, duke përmendur edhe hetimet e nisura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj zyrtarëve të lartë.
Mazhoranca nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj deklaratave të kreut të Partisë “Mundësia”.