Vendosni fjalën kyçe....

Humb jetën elektricisti në Rrilë, procedohen katër punonjës të OSHEE-së



Një elektricist ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës në fshatin Rrilë, në qarkun e Lezhës, ndërsa për ngjarjen kanë nisur procedimet penale ndaj katër punonjësve të OSHEE-së.

Viktima, shtetasi M. P., ishte duke riparuar një defekt në një shtyllë elektrike, kur dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, çka i ka shkaktuar vdekjen.

Sipas njoftimit zyrtar, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga oficerët e Policisë Gjyqësore, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, është regjistruar procedim penal për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Procedimi ka nisur ndaj shtetasit M. L., 34 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik pranë OSHEE-së, si dhe ndaj shtetasve K. Ll., 60 vjeç, A. Xh., 62 vjeç dhe E. R., 23 vjeç, të tre me detyrë elektricistë pranë kësaj shoqërie.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.