Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti farmaceutik do ndërtojë 11 fabrika në SHBA


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se të mërkurën është takuar në Shtëpia e Bardhë me Vas Narasimhan, drejtuesin ekzekutiv të kompanisë farmaceutike zvicerane Novartis.

Duke folur të enjten para punëtorëve në një fabrikë çeliku në Rome, Georgia, Trump deklaroi se Narasimhan i kishte bërë të ditur se Novartis po ndërton 11 fabrika në Shtetet e Bashkuara, si rezultat i politikave tarifore të administratës së tij.

Në një reagim për Reuters, një zëdhënës i Novartis konfirmoi se kompania ka informuar qeverinë amerikane mbi ecurinë e investimeve të saj. Sipas deklaratës, janë nisur punimet për objekte prodhimi dhe kërkimi në Karolinën e Veriut dhe Kaliforni, si dhe ka plane për zgjerimin e rrjetit të prodhimit të terapisë me radioligand përmes një qendre të re në Florida. Megjithatë, kompania nuk dha detaje mbi numrin e përgjithshëm të impianteve që planifikon të ndërtojë.

Vitin e kaluar, Novartis kishte bërë të ditur se synon të investojë rreth 23 miliardë dollarë për ndërtimin dhe zgjerimin e 10 objekteve në SHBA, në një kohë kur administrata Trump kishte paralajmëruar tarifa mbi importet e barnave.