
Qyteti Osaka ka marrë një dhurim të pazakontë: 21 kilogramë shufra ari, me vlerë rreth 560 milionë jen (afërsisht 3.6 milionë dollarë paund), nga një person anonim që ka kërkuar që fondet të përdoren për riparimin e tubacioneve të vjetruara të ujit.
Shufrat iu dorëzuan Byrosë së Ujësjellësit të qytetit në nëntor. Kryetari i bashkisë, Hideyuki Yokoyama, u shpreh se mbeti i befasuar nga shuma, duke theksuar se rinovimi i rrjetit kërkon investime shumë të mëdha dhe se qyteti do respektojë plotësisht dëshirën e dhuruesit.
Osaka, qyteti i tretë më i madh në Japoni me rreth 2.8 milionë banorë, përballet me një infrastrukturë të amortizuar. Sipas zyrtarit të ujësjellësit, Eiji Kotani, një pjesë e mirë e rrjetit publik në Japoni u ndërtua gjatë periudhës së rritjes ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, zhvillimi urban në Osaka nisi edhe më herët, çka ka bërë që tubacionet e saj të konsumohen më shpejt se në zona të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare, qytetit i duhet të rinovojë rreth 260 kilometra tubacione. Vetëm rikonstruksioni i një segmenti prej 1.2 miljesh (rreth 2 km) kushton afro 500 milionë jen.
Gjatë vitit fiskal që përfundoi në mars 2025, në Osaka u regjistruan 92 raste rrjedhjesh në tubacionet nën rrugët e qytetit. Debati për sigurinë e infrastrukturës ujore në Japoni është intensifikuar pas një incidenti fatal në Saitama, në veri të Tokio, ku një kamion ra në një gropë të shkaktuar nga dëmtimi i sistemit të kanalizimeve, duke humbur jetën drejtuesi i mjetit.