
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se pas protestës së opozitës janë shoqëruar 41 persona.
Sipas demokratit, një pjesë e të shoqëruarve janë të mitur ndërsa theksoi se ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale pasi kanë qenë të shoqëruar nga prindërit.
“I shoqëruar është edhe një invalid i kategorisë së tretë. Asnjë shoqërim apo arrestim i bërë nga policia nuk është legjitimuar nga gjykata. Sa i takon reagimit skandaloz të Edi Ramës, një njeri i kapur në hajdutëri nuk mund të quhet kryeministër, do kuptoni që ka mllef, urrejtje, që i drejtojnë gishtin si hajduti më i madh në Republikën e Shqipërisë. Është në hall, e ka shkaktuar vetë duke gllabëruar pasuritë e shqiptarëve. 41 në të gjitha komisariatet e Tiranës. Ka një numër të konsiderueshëm të miturish që janë arrestuar, në një pjesë të komisariateve janë liruar. Asnjë prej të miturve të shoqëruar, nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit, kanë qenë të shoqëruar në protestë nga prindër, shokë dhe duke u kthyer në banesë, janë rrëmbyer nga police pa uniformë. Çfarë mund të presësh nga një regjim, që ka legjitimuar vjedhjen”, tha Bardhi.