
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare në orën 10:00, ku në fokus do të jetë zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Procesi vjen në një kohë kur gjashtë anëtarëve u ka përfunduar mandati, duke bllokuar funksionimin e këshillit, i cili aktualisht nuk mund të marrë vendime pa plotësimin e bordit.
Nga pesë anëtarët që pritet të zgjidhen, tre kandidatë janë përzgjedhje e Partisë Socialiste: ish-deputeti demokrat Selami Xhepa, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu.
Dy kandidatët e tjerë janë propozuar nga kryeministri Edi Rama, përmes aplikimeve të paraqitura në qeveri: ish-ministri Ervin Mete dhe Jonida Prifti, ndërsa pritet edhe një propozim tjetër.
Seanca do të nisë me një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Në rend dite janë përfshirë gjithashtu gjashtë projektligje të propozuara nga opozita, si dhe ndryshime në ligjin për qeverisjen elektronike dhe ligje të tjera sektoriale. Në fund të seancës pritet të miratohet edhe ligji i ndryshuar për funksionimin e AKSHI-t.
Debate pritet të ketë edhe për ndryshimet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Nisma e kryeministrit Rama synon që gjykatat të mos mund të vendosin masën e pezullimit nga detyra për Presidentin, Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit dhe kreun e KLSH-së.
Për masa të tjera, si detyrimi për paraqitje në SPAK apo ndalimi i daljes jashtë vendit, nuk kërkohet autorizim parlamentar, ndërsa për arrest do të vijojë të nevojitet miratimi i Kuvendit.
Mazhoranca ka theksuar se ndryshimet nuk kanë fuqi prapavepruese dhe nuk ndikojnë në rastin e Belinda Ballukut. Sipas socialistëve, nisma vjen për të plotësuar një boshllëk ligjor.