
Kreu i grupit parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë se e ka kthyer shërbimin e jashtëm në “strehë pensioni” për ish-deputetët e PS dhe se ambasadat shqiptare janë përdorur si qendra elektorale. Ai deklaroi se integrimi evropian është kthyer në propagandë dhe se është penguar nga çështje korrupsioni.
Duke iu drejtuar ministres së Jashtme Elisa Spiropali, Bardhi tha se “705 nga ambasadorët janë individë politikë” dhe se qeveria flet për “suksese imagjinare”, ndërsa procesi i integrimit evropian, sipas tij, është marrë peng nga rasti i korrupsionit i Ballukut.
“Nga ajo që ndodh në praktikë vërejmë që shërbimin e jashtëm e keni kthyer si strehë pensioni për ish-deputetët e PS. Nëse hap sot listën e ambasadorëve të Shqipërisë, 705 të tyre janë individë politikë që kanë qenë këtu.
Do ta kishim besuar realisht që kjo qeveri ka për qëllim të reformon shërbimin e jashtëm nëse nuk do të kishim vërejtur që në 11 maj ambasadave të Shqipërisë në botë u kthyen në qendra elektorale të PS.
Do ta kishim besuar reformën në shërbimin e jashtëm nëse ministre do vinit këtu dhe nuk të flisnit për sukses imagjinare të politikës së juaj të jashtme me atlete te bardha të kryeministri, por të kishin informuar me seriozitet kuvendin sesi procesi i integrimit është marrë peng nga rasti i korrupsionit të Ballukut.
Ju integrimin evropian e keni propagandë të pastër”, tha ndër të tjera Bardhi.
Në përgjigje, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali tha se PD nuk mund të japë leksione për korrupsionin dhe theksoi se Bashkimi Evropian vlerëson reformat e Shqipërisë dhe progresin në procesin e integrimit, duke nënvizuar hapjen dhe pritshmëritë për mbylljen e negociatave.
“Nuk presim leksione nga një parti politike që mburojën ndaj korrupsionit nuk e ka mbi kokë por e ka kryetar. E dyta po të shohësh me vëmendje dhe të jesh mendje hapur sa i takon Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe draft raportin do lexosh raportet e BE që të gjitha reformat që ka bërë Shqipëria vlerësohen vijimsisht, vlerësohet zbatimi i tyre, flitet për precedentin e Shqipërisë për hapjen dhe pritshmërinë për mbylljen e negociatave”, tha Spiropali.