
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në një ceremoni për prezantimin e një sistemi të ri raketahedhësish shumëfishtë 600 mm, të cilët sipas mediave shtetërore janë të aftë të mbajnë mbushje bërthamore, përcjell DW.
Agjencia shtetërore KCNA raportoi se sistemi i ri është “i përshtatshëm për një sulm special”, një term që përdoret shpesh nga Pheniani si eufemizëm për armët bërthamore. Kim deklaroi se raketahedhësit synojnë të shërbejnë si “mjet parandalues” ndaj armiqve, pa përmendur drejtpërdrejt Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut teknikisht mbeten në gjendje lufte që prej vitit 1953, megjithëse një armëpushim është në fuqi prej atëherë. Seuli ndodhet më pak se 50 kilometra nga kufiri që ndan dy vendet.
“Kur kjo armë të përdoret realisht, asnjë forcë nuk do të mund të presë mbrojtje hyjnore,” citohet të ketë thënë Kim nga KCNA, duke e quajtur sistemin “një armë të mrekullueshme dhe tërheqëse”.
Zhvillimi i sistemit të ri vjen në prag të Kongresit të Nëntë të Partisë së Punëtorëve në pushtet, një ngjarje kyçe ku pritet të përcaktohen objektivat ekonomike dhe ushtarake për pesë vitet e ardhshme. Pheniani ka investuar prej vitesh në zgjerimin e arsenalit bërthamor dhe në testimin e teknologjive të raketave, me synim rritjen e kapaciteteve të goditjes me saktësi.