Vendosni fjalën kyçe....

Sistemi AFMIS i Financave del “jashtë loje”, APP: Pajisuni me numër transaksioni për tenderat


Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi se institucionet publike duhet të pajisjen me numër transaksioni për procedurat e prokurimit. Shkak është bërë mosfunksionimi i Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar i Shqipërisë(AFMIS).

Procedura e mirëmbajtjes ka mbetur peng i procedurave të prokurimit që nga korriku i vitit të shkuar. Në njoftimin e shkurtër të APP thuhet se kjo praktike që duhet të ndjekin insitucionet lidhet me një urdhër të datës 4 shkurt.

“Njoftohen të githë Autoritetet/ Entet Kontraktore buxhetore të cilët për zhvillimin e procedurave të prokurimit duhet të pajisen me numër transaksioni nga dega e thesarit, se: Referuar Urdhër Nr.18 Prot.,datë 04.02.2026 “Për vijimin e procesit të ekzekutimit të buxhetit të shtetit për vitin 2026, në kushtet e mosfunksionimit të Sistemit Afmis”, të Ministrisë së Financave, autoritetet/entet kontraktore duhet të kërkojnë në adresën e email-it  info@app.gov.al, heqjen e integrimit me AFMIS me qëllim vijueshmërinë  e hapave të mëtejshem të procedures” thuhet në njoftim.

Tenderi i AFMIS ende i pafinalizuar

Kohëve të fundit sistemet e informacionit të institucioneve po tregojnë dobësi të theksuara të lidhura me faktin se kontratat e tyre të mirëmbajtjes nuk po arrijnë të finalizohen madje as ato që lidhen me shërbimin e internetit.

Tenderi “Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave” u çel në mes të korrikut të vitit të kaluar me një fond limit rreth 1.7 milionë euro.

Por ashtu siç ka ndodhur me procedurat e tjera të AKSHI edhe ky tender ka kaluar në një sërë ankimimesh ku për më të fundit Komisioni i Prokurimit Publik dha vendimin në 27 janar duke rrëzuar ankesën. Ende nuk është e qartë se çka ndodhur me procedurën dhe në cilën fazë është ajo.

E njëjta gjë mbetet edhe për procedura të tjera që lidhen me sistemet e IT që kanë kohë që zvarriten mes ankesash dhe pezullimesh në KPP dhe që herë autoriteteve u është dhënë “ok” për të vazhduar dhe herë janë kthyer për rishikim apo rivlerësim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor