Vendosni fjalën kyçe....

Si të deklaroni fitimet nga Airbnb, Instagram; Tatim 15% mbi të ardhurën e mbetur pas komisioneve


Nëse je individ, pra nuk je i pajisur me NIPT biznesi, por gjatë vitit 2025 ke gjeneruar të ardhur me vlerë mbi 50 mijë lekë, pasi ke dhënë një apartament apo vilë me qira përmes platformave Airbnb apo Booking, për administratën tatimore kjo e ardhur konsiderohet e patatuar, për rrjedhojë duhet të deklarohet në formularin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA), dhe do të tatohen 15%.

Pra të ardhurat përmes rrjeteve sociale apo platformave të tjera të huaja, do të deklarohen në të njëjtën formular që deklarohen të ardhurat nga marrëdhëniet e punësimit.

Kontabilistët sqarojnë se në DIVA do të deklarohet e ardhura e mbetur pas komisioneve, që pasi shënohet manualisht nga deklaruesi, do të tatohet 15% automatikisht nga sistemi nëpërmjet deklaratës.

Në praktikë shumë deklarues të të ardhurave të patatuara që i kanë gjeneruar përmes platformave të huaja, po hasin paqartësi mbi deklarimin e shumës. Nëse duhet të deklarohet shuma para apo pas komisionit të paguar për platformën.

Interpretimi i përgjithshëm fiskal në DIVA i referohet vetëm “të ardhurës bruto nga qiraja”, apo si “të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, ndërsa konkretisht në DIVA për të ardhurat e këtyre individëve nuk parashikohen zbritje shpenzimesh për komisionet e platformave.

Kontabilisti Armand Mala shpjegon për “Monitor” se edhe pse DIVA i referohet të ardhurës bruto nga qiraja, nga individët duhet të deklarohet e ardhura, që ka mbetur pas komisioneve, pasi kjo është edhe shuma që rakordohet me pagesat e arkëtuara përmes bankës.

Deklarimi në DIVA është i domosdoshëm edhe për të ardhurat e gjeneruara nga rrjetet sociale si Facebook, Instagram apo YouTube, të cilat gjithashtu konsiderohen të patatuara, pasi individët nuk janë të regjistruar me NIPT.

Pra pavarësisht se të ardhurat janë realizuar përmes platformave të huaja, ato konsiderohen të ardhura të patatuara të një individi, i cili nuk është i pajisur me NIPT. Në këtë rast ai ka detyrimin t’i deklarojë ato përmes DIVA për të cilën do të paguajë detyrimin 15%.

Sipas njoftimit të publikuar më herët nga Administrata tatimore, konkretisht është kërkuar “që çdo person që ka përfituar të ardhura si individ nga platformat si: Meta, YouTube, Google, Airbnb, Booking etj., dhe i ka arkëtuar ato në bankë ose përmes PayPal, duhet t’i deklarojë në formularin DIVA-2025, brenda afatit: 31 Mars 2026”.

Kontabilisti Armand Mala sqaron se në formularin DIVA të ardhurat e patatuara me vlerë mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja të gjeneruara përmes platformave të huaja, duhet të pasqyrohen te Rubrika 6 “Të ardhura nga dhënia me qira”.

Në DIVA të ardhurat përmes rrjeteve sociale sipas Mala duhet të deklarohen në rubrikën (21) “Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Por si llogaritet tatimi?

“Për të dyja rastet vlera e të ardhurës së patatuar duhet të shënohet manualisht nga deklaruesi. Tatimi është 15%. Sistemi e-Filing e llogarit automatikisht tatimin, pas plotësimit të shumës manualisht nga deklaruesi. Shuma e deklaruar do të tatohet e plotë. Në këtë rast ligji nuk parashikon zbritje shpenzimesh.

Zbritje shpenzimesh, në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikohen vetëm për të ardhurat nga punësimi, ku sipas nenit 22, pika 1, germat a, b dhe c me vlerë 360 mijë lekë në vit dhe 600 mijë lekë në vit sipas fashës së të ardhurave. Në DIVA është e reflektuar në rubrikën 24. Si dhe zbritje shpenzimesh, si kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç në shumën 48 mijë lekë dhe shpenzime për arsimin e fëmijëve me vlerë maksimale deri në 100 mijë lekë, të përcaktuara në rubrikat 25 dhe 26 të DIVA-s”, sqaron Mala.

Kur nisi deklarimi i të ardhurave të patatuara nëse janë mbi 50 mijë lekë në vit

Detyrimi i deklarimit edhe për ardhurat mbi 50 mijë lekë që një individ ka realizuar gjatë vitit, për të cilat nuk është mbajtur tatim përfundimtar në burim, përfshirë edhe përmes platformave ndërkombëtare u përfshi si risi në 2025, me plotësimin e DIVA 2024.

Ndryshimet sollën se edhe nëse një individ nuk kishte realizuar një total të ardhurash vjetore mbi 1,2 mln lekë nga punësimi (pasi vetëm nëse të ardhurat vjetore bruto nga punësimi janë mbi 1,2 mln lekë individi ka detyrim për plotësim e DIVA), por kishte realizuar të ardhura të patatuara mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja, YouTube etj, i lind detyrimi për plotësimin e DIVA.

Pra mund të mos kenë realizuar një total të ardhurash mbi 1,2 milionë lekë, por kanë realizuar mbi 50 mijë lekë dhe nuk janë të tatuara, në këtë rast do të duhet të deklarojnë DIVA-n.

Të ardhura të tilla mund të jenë: Të ardhurat nga qiradhënia, kur qiramarrës është një individ i paregjistruar si tatimpagues tregtar, të ardhura të realizuara jashtë Shqipërisë etj.

Sakaq për shkak të kërkesës në rritje të turistëve të huaj për t’u akomoduar në apartamente me qira ditore, pasi çmimet e qira janë më të lira se strukturat tradicionale akomoduese numri i tyre vijon të rritet.

Në vitin 2025 nga qiradhënia në Shqipëri u gjeneruan gjithsej 134 mln euro

Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb dhe Expedia (dhe në disa raste Booking.com), të bëra të disponueshme për “Monitor”, bëjnë të ditur se në gjithë vendin, mesatarisht në vitin 2025, jepeshin me qira 26.3 mijë apartamente përmes platformës së qiradhënies, Airbnb, nga 21 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 25.3%.

Sipas të dhënave nga AirDNA dhe Expedia, në vitin 2025 nga qiradhënia në Shqipëri u gjeneruan gjithsej 134 milionë euro, një nivel rekord i regjistruar ndonjëherë në vend. Në krahasim me vitin e mëparshëm, të ardhurat janë rritur me 23.4%.

Megjithatë, një pjesë e këtyre individëve nuk janë të regjistruar pranë tatimeve, çka ka nxitur që administrata tatimore të marrë disa herë masa për evidentimin dhe fiskalizimin e këtij aktiviteti të zhvilluar në tregun informal.

Për identifikimin e individëve që lëshojnë prona me qira ditore dhe formalizimin e tyre tatimet nisën identifikimin nëpërmjet komisioneve të paguara prej tyre në platformën Booking.

Më herët nga administrata tatimore u pohua se nga Drejtoria e Hetimit po hartohet një projekt pilot për evidentimin e këtyre të dhënave nëpërmjet përfaqësuesve tatimor në Shqipëri që japin prona me qira në platformat Booking apo AirBnb.

Projekti parashikonte që numri i qiradhënësve të identifikuar përmes komisioneve të paguara, për formalizimin të kryqëzohen me një sërë të dhënash, përfshirë deklarimet në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për 2024, me qëllim mbajtjen 15% të tatimit në burim për të ardhurat e patatuara./ Dorina Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor