
Presidenti Begaj, kryeministri Rama e kreu i Partisë së Lirisë Meta kanë uruar bestimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit që nis nesër.
Ata kanë shkruar mesazhe solidariteti e bashkimi teksa u urojnë besimtarëve agjërim të lehtë e të pranuar.
“Gëzuar Ramazanin! Agjërim të lehtë dhe të pranuar”, ka shkruar Rama në postimin e tij.
“Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit! Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë agjërim të lehtë, të pranuar, të shëndetshëm dhe me mbarësi! Qoftë ky Muaj i Shenjtë një kohë reflektimi, mëshire dhe afrimi me Zotin, duke forcuar solidaritetin, dashurinë dhe mirësinë mes nesh. Vërtet, pas vështirësive vjen lehtësimi.” – Kuran. Me besim të palëkundur në Zot, u bashkohem lutjeve tuaja për begati, shëndet, paqe dhe harmoni në çdo familje shqiptare. Qoftë Ramazani burim drite për zemrat tona dhe shpresë për të ardhmen!”, thotë Meta në urimin e tij.
“Besimtarët myslimanë fillojnë nesër agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit. Duke dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar për gjithë besimtarët myslimanë, uroj që ky muaj i shenjtë të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin! Qoftë sa më i mbarë për të gjithë dhe ardhtë me të gjitha begatitë!” – shkruan Begaj.