
Qindra miliona njerëz në mbarë Azinë nisën të martën festimet për Vitin e Ri Hënor, me lutje, fishekzjarre dhe aktivitete tradicionale, ndërsa Kina mirëpriti Vitin e Kalit, një nga 12 shenjat e zodiakut kinez, që pason Vitin e Gjarprit, përcjell Euronews.
Viti i Ri Hënor, i cili përkon me hënën e re të parë sipas kalendarit hënor, është një festë 15-ditore që zhvillohet çdo vit midis 21 janarit dhe 20 shkurtit. Ai përbën festën më të rëndësishme të vitit në Kinë dhe në disa vende të tjera të Azisë Lindore.
Autoritetet kineze presin një rekord prej 9.5 miliardë udhëtimesh pasagjerësh gjatë periudhës 40-ditore të Festivalit të Pranverës, krahasuar me 9 miliardë një vit më parë. Pushimi i zgjatur pritet të nxisë konsumin e brendshëm, një nga objektivat kryesore ekonomike të Pekinit për këtë vit.
Si çdo vit, festimet u shoqëruan me galanë tradicionale televizive të Festivalit të Pranverës në transmetuesin shtetëror China Central Television (CCTV). Një nga momentet më të spikatura ishte performanca e arteve marciale nga fëmijë dhe robotë humanoidë të kompanisë Unitree Robotics, të cilët demonstruan lëvizje të sinkronizuara dhe madje përdorën shpata në skenë. Performanca u pa si dëshmi e përparimit të Kinës në zhvillimin e robotikës dhe inteligjencës artificiale.
Në Tajvan, kambanat e tempullit Baoan Temple në Taipei ranë 108 herë — një numër me domethënie fatlume — ndërsa besimtarët ndezën temjan dhe vendosën buqeta me lule në shenjë urimi për vitin e ri.
Në Hong Kong, qytetarët u rreshtuan para mesnatës në tempuj për të bërë dëshirat e tyre tradicionale, duke mbajtur në duar tufa me shkopinj temjani.
Në Vietnam, ku festa njihet si Tet, qytete të ndryshme organizuan spektakle me fishekzjarre dhe koncerte në natyrë. Ura dhe rrokaqiej u ndriçuan me shfaqje dritash, ndërsa turmat festuan nën ritmet e muzikës pop.
Festimet u shtrinë edhe jashtë Azisë. Në Moskë, panaire rrugore me ushqime kineze dhe dekorime me fenerë të kuq e dragonj shënuan nisjen e dy javëve aktivitete kulturore.
Ndërsa në Buenos Aires, mijëra persona u mblodhën në lagjen kineze për të ndjekur valle tradicionale me dragoin dhe luanin, si dhe demonstrime të arteve marciale. Komuniteti kinez në Argjentinë numëron mbi 180 mijë persona dhe konsiderohet ndër më aktivët në Amerikën e Jugut.
Festimet e këtij viti konfirmojnë rëndësinë globale të Vitit të Ri Hënor, i cili bashkon komunitete në mbarë botën përmes traditës, kulturës dhe simbolikës së re.