Vendosni fjalën kyçe....

Projekti për klimën dhe bujqësinë, BB: Ka vonesa të theksuara në afate


Zbatimi i një projekti kyç për rezistencën klimatike dhe zhvillimin bujqësor në Shqipëri po ecën më ngadalë se planifikimi fillestar, me progres të kufizuar financiar dhe operacional.

Bëhet fjalë për projektin “Për Rezistencë Klimatike dhe Zhvillim Bujqësor” i financuar nga Banka Botërore me një kredi 70 milionë USD dhe i përbërë nga tre komponentë.

Në vlerësimin e fundit të Bankës për këtë projekt, ecuria ka mbetur sërish “i pakënaqshëm në mënyrë të moderuar”. Sipas raportit të zbatimit, projekti ka hyrë në një fazë ku rezultatet mbeten larg objektivave kryesore. “Pas një fillimi premtues, implementimi ka përjetuar vonesa të konsiderueshme, me një prapambetje të vlerësuar rreth 18 muaj dhe nivel të ulët disbursimi, aktualisht në 8 për qind”

Progresi drejt objektivave të zhvillimit i reflektuar në “i pakënaqshëm në mënyrë të moderuar” reflekton se komponentët kryesorë të investimeve nuk kanë avancuar sipas planit. Aktivitetet infrastrukturore dhe ndërhyrjet për rritjen e qëndrueshmërisë bujqësore nuk kanë hyrë ende në fazë zbatimi të plotë. Raporti thekson se ritmi i ngadaltë kërkon ndërhyrje institucionale më të fortë.

“Ruajtja dhe ndërtimi mbi progresin përgatitor të mëparshëm kërkon angazhim të fortë drejtues, vendimmarrje në kohë dhe koordinim më të mirë mes institucioneve zbatuese.”

Banka nënvizon se autoritetet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë përgatitur një plan veprimi për të përshpejtuar zbatimin dhe për të rikthyer projektin në trajektoren e synuar.

“Zbatimi strikt i planit të veprimit dhe mbikëqyrja në nivel të lartë do të jenë vendimtare për përmirësimin e performancës dhe arritjen e objektivave brenda periudhës së mbetur të projektit” thuhet në dokumentin e BB.

Projekti në fjalë u miratua në mars 2023. Objektivi i tij është rritja e konkurrueshmërisë dhe rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike të zinxhirëve prioritarë agroushqimorë, duke përmirësuar sistemet bujqësore, aksesin në tregje dhe aftësinë për përballimin e goditjeve të klimës./ Monitor