Vendosni fjalën kyçe....

“Mos jini dembelë” – Merz u bën thirrje gjermanëve të punojnë më shumë


Kancelari Friedrich Merz ka nisur një betejë rrezikshme politike me fuqinë punëtore të Gjermanisë prej rreth 46 milionë njerëzish.

Mesazhi i tij, shkurtimisht: Mos jini aq dembelë.

Gjermanët nuk punojnë mjaftueshëm orë pune dhe marrin shumë ditë raporti mjekësor (pushim shëndetësor), duke penguar rritjen ekonomike, ka argumentuar Merz javët e fundit.

Ky nuk është mesazhi më i përshtatshëm politik në një vit kyç zgjedhjesh rajonale, madje as në një vend, imazhi tradicional i të cilit lartëson zellin dhe punën e palodhur si imperativa morale, shkruan Politico.

Thirrja e Merz që njerëzit të punojnë më shumë vjen ndërsa ai përpiqet të ringjallë ekonominë e Gjermanisë, prej kohësh të ngecur në vend dhe shtyn përpara politika të orientuara nga tregu për të rritur konkurrueshmërinë — pjesërisht duke adresuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, brenda vendit dhe në mbarë BE-në.

Por, kjo vjen gjithashtu në një moment politikisht të ndjeshëm përpara një sërë zgjedhjesh shtetërore që shihen si teste kyçe të humorit kombëtar, ndërkohë që partia e tij konservatore po lufton për të zmbrapsur të djathtën ekstreme në rritje.

Kjo nuk e ka ndaluar kancelarin që të mbajë një ton pothuajse qortues ndaj gjermanëve pse nuk punojnë më shumë dhe më fort.

“Balanca punë-jetë nuk mjafton”

“Produktiviteti i përgjithshëm i ekonomisë sonë kombëtare nuk është mjaftueshëm i lartë,” tha Merz gjatë një fjalimi të fundit para grupeve të industrisë në Gjermaninë Lindore, duke e cilësuar punën me kohë të pjesshme si problem., shkruan Politico.

“Për ta thënë edhe më troç: Balanca punë-jetë dhe java katërditore nuk do mjaftojnë për të ruajtur nivelin aktual të prosperitetit të vendit tonë në të ardhmen, prandaj duhet të punojmë më fort.”

Gjatë një ndalese të fundit të fushatës në shtetin jugperëndimor të Baden-Vyrtembergut, ku konservatorët po mbahen pas një avantazhi me shifra njëshifrore në sondazhe përpara zgjedhjeve të 8 marsit, Merz e përforcoi qëndrimin e tij. Ai dënoi numrin e ditëve të raportit mjekësor që gjermanët marrin mesatarisht – gati tri javë në vit, tha ai, dukshëm mbi mesataren e BE-së.

“A është kjo vërtet e drejtë? A është vërtet e nevojshme?” tha Merz me grushtin shtrënguar.

“A mund të flasim se si mund të krijojmë stimuj më të mirë për të inkurajuar njerëzit të punojnë, në vend që të marrin raport kur janë të sëmurë?” Ai shtoi: “Në Republikën Federale të Gjermanisë, ne duhet të arrijmë së bashku një performancë ekonomike më të lartë se ajo që po arrijmë aktualisht.”