Vendosni fjalën kyçe....

Hotelet, të huajt u rritën me 47.6% kryesojnë italianët, Kosova e dyta


Italianët janë grupi që ka dominuar në hotelet shqiptare gjatë muajit të fundit të vitit të shkuar.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave mbi strukturat akomoduese ne dhjetor tregojnë se vizitorët nga vendi fqinj kanë vijuar të preferojnë vendin tonë si destinacion teksa të dytët mbeten shqiptarët e Kosovës.

“Në Dhjetor 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (25%), Kosova (16%) dhe Gjermania (6%).

Franca dhe Shtetet e bashkuara kontribuuan me nga 4%, ndërsa 45% e tyre ishin nga vende të tjera. Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës.

Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 20,4%, krahasuar me 18,1% në Dhjetor 2024”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Në total të dhënat tregojnë se në muajin Dhjetor 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net qëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Vizitorët gjithsej u rritën me 27,2%, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 47,6% dhe rezidentë 3,8%.  Net qëndrimet gjithsej u rritën me 26,2%, ku ato jo-rezidentë u rritën me 39,2%, ndërsa ato nga rezidentët u rritën me 8,7%.  Vizitorët jo-rezidentë shënuan rritje në zonat jo-bregdetare (+37,2%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+47,6 %)”, thuhet në publikim.

Muajt e fundit të vitit të shkuar kanë qenë relativisht të kënaqëshëm për turizmin me një fokus të rritur tek turizmi kulturor.

Shqipëria mbylli vitin e shkuar me një numër hyrjesh nga të huajt mbi 12 milionë ku vetëm dhjetori shënoi mbi 600 mijë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor