Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Do të rishihen referencat për dëmshpërblimin e 74 familjeve në Durrës



Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën në Durrës se do të duhet të shihen referencat e reja për vlerësimin e dëmshpërblimit të 74 familjeve, banesat e të cilave preken nga zbatimi i projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID”. Projekti nis nga zona pranë Amfiteatri i Durrësit dhe shtrihet deri në bulevardin historik “Epidamn”, i njohur ndryshe si Rruga Tregtare që zbret nga Bashkia drejt Portit.

Çmimet aktuale të referencës për Durrësin i përkasin vitit 2018, ndërsa në mesin e vitit të kaluar qeveria njoftoi një rishikim në rang vendi, me rivlerësim më të lartë për zonat bregdetare. Vlerat e hedhura për konsultim publik gjatë verës së shkuar për Durrësin arrijnë deri në 124 mijë lekë, ose rreth 1,280 euro për metër katror për banesat.

Megjithatë, kjo vlerë mbetet ndjeshëm më e ulët se çmimet aktuale të tregut në zonën qendrore të qytetit, ku shtrihet edhe projekti që ka nxitur reagimin e banorëve.

Sipas agjentit imobiliar Artjon Barjamaj, çmimet në ndërtimet e reja pranë zonës variojnë rreth 2,500 euro për metër katror që në fazën fillestare, me tendencë rritjeje gjatë vijimit të punimeve. Ndërsa për njësitë tregtare, çmimet nisin nga 5,000 euro për metër katror e sipër, në varësi të sipërfaqes dhe pozicionit.

Çmimi i referencës prej 1,280 eurosh për metër katror është pothuajse dy herë më i ulët se vlera aktuale e tregut për banesat dhe rreth katër herë më i ulët për njësitë tregtare.

Ndërkohë, sipas vendimit aktual në fuqi për dëmshpërblimin, territori ndahet në dy zona kadastrale:

Zona Kadastrale 8514

  • Ndërtesë/Apartament: 71,141 lekë/m²

  • Truall: 17,898 lekë/m²

Zona Kadastrale 8512

  • Ndërtesë/Apartament: 80,638 lekë/m²

  • Truall: 19,155 lekë/m²

Këto vlera, sipas banorëve të prekur, janë disa herë më të ulëta se çmimet reale të tregut, duke thelluar debatet mbi mënyrën e dëmshpërblimit për projektin zhvillimor në zonën arkeologjike të Durrësit.