Vendosni fjalën kyçe....

“Oh, alienët ekzistojnë po nuk i kam parë” – Obama (Video)


Ish-presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, është përfshirë në debatin mbi dukuritë ajrore që prej dekadash kanë nxitur kureshtje dhe polemika, që nga koha kur pas Luftës së Dytë Botërore u raportuan për herë të parë “disqet fluturuese”.

Në një intervistë të publikuar të shtunën me YouTuber-in Brian Tyler Cohen, i pyetur drejtpërdrejt nëse jashtëtokësorët ekzistojnë, Obama u shpreh se ata janë të vërtetë, por shtoi se personalisht nuk ka parë asgnë të tillë.

Ai iu referua menjëherë spekulimeve që rrethojnë “Area 51” në Nevada, zonë e njohur si hapësirë sekrete testimi ushtarak, për të cilën prej vitesh pretendohet se strehon mjete fluturuese jashtëtokësore të rrëzuara dhe trupa alienësh, të cilat supozohet se i nënshtrohen analizave të avancuara teknologjike.

Obama sqaroi se objekte të tilla nuk mbahen në atë që njihet si “Area 51” dhe theksoi se nuk ekziston ndonjë strukturë nëntokësore, përveç nëse do kishte një konspiracion të përmasave të jashtëzakonshme që do t’i ishte fshehur edhe vetë Presidentit. Ironikisht, pikërisht një “konspiracion gjigant” është thelbi i shumë dokumentarëve mbi këtë temë, ku pretendohet se ekzistenca e një kompleksi nëntokësor në “Area 51” është sekret i ruajtur me fanatizëm, madje edhe nga presidentët.

Kur u pyet se cilës pyetje do kishte dashur më shumë t’i merrte përgjigje pasi hyri në Shtëpia e Bardhë, Obama u përgjigj me humor se do donte të dinte se ku ndodheshin jashtëtokësorët, pa u kuptuar qartë nëse fliste seriozisht apo në mënyrë ironike. Megjithatë, ai nuk është i pari president që ka shfaqur interes për këtë çështje.

Jimmy Carter, gjatë tranzicionit pas zgjedhjes së tij si presidenti i 39-të në vitin 1976, thuhet se i kërkoi drejtorit të atëhershëm të CIA, George H. W. Bush, qasje në dosjet mbi UFO-t, por raportohet se Bush e hodhi poshtë kërkesën me argumentin se kureshtja nuk përbënte arsye të mjaftueshme për deklasifikim.

Po ashtu, John Podesta, ish-shef stafi i Bill Clinton dhe këshilltar i Obamës, ka kërkuar për vite transparencë më të madhe, përfshirë raportimet e vitit 1998 se ai kishte kontaktuar Forcat Ajrore për të marrë informacion mbi aktivitetet në “Area 51”. Në fund të mandatit të tij në administratën Obama, Podesta deklaroi në rrjete sociale se “dështimi i tij më i madh” në vitin 2014 ishte mosarritja e publikimit të dosjeve qeveritare mbi UFO-t.

“Area 51”, së bashku me bazën ajrore Wright-Patterson Air Force Base në Ohajo, përmenden shpesh si baza të një programi sekret për studimin e teknologjisë jashtëtokësore.

Në vitin 1989, Bob Lazar pretendoi se kishte punuar në një projekt të klasifikuar në Nevada që merrej pikërisht me analizimin e mjeteve fluturuese të panjohura. Edhe pse për vite me radhë tema e UFO-ve është trajtuar me skepticizëm apo ironi, kohët e fundit qasja zyrtare ka qenë dukshëm më serioze.

Ligjvënës, mes tyre ish-senatori dhe aktualisht Sekretari i Shtetit Marco Rubio si dhe i ndjeri Harry Reid, kanë kërkuar më shumë transparencë nga Pentagoni për programet që regjistrojnë dhe analizojnë ato që tashmë quhen UAP (Dukuri Ajrore të Paidentifikuara), të konsideruara si kërcënim potencial për sigurinë kombëtare.

Këto dukuri u trajtuan në një seancë dëgjimore në Kongres dy vite më parë, ku dëshmuan përfaqësues të Forcave Ajrore dhe informatori qeveritar David Grusch, i cili deklaroi se mjete fluturuese të rrëzuara dhe “biologjikë jonjerëzorë” janë rikuperuar në kuadër të një programi sekret.

Qasja më serioze ndaj kësaj çështjeje u theksua pas një artikulli të publikuar nga The New York Times në vitin 2017, i cili zbuloi ekzistencën e një programi të fshehtë të Pentagonit që mbikëqyrte këto dukuri, përfshirë pamje zyrtare nga avionë luftarakë gjatë stërvitjeve pranë San Diego, ku shfaqeshin objekte të paidentifikuara që dukej se sfidonin aftësitë e njohura të teknologjisë ajrore njerëzore, skruan Breitbart.