Vendosni fjalën kyçe....

Lapaj vijon protestën para Kryeministrisë: Standard i dyfishtë për pushtetarët



Edhe këtë të hënë, Adriatik Lapaj ka vazhduar protestën para Kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë për standard të dyfishtë në trajtimin e zyrtarëve të lartë dhe qytetarëve të zakonshëm.

Përmes një video-mesazhi në Facebook, Lapaj u shpreh se ndërsa qytetarët që kapen duke vjedhur energji elektrike përfundojnë në burg, për ata që, sipas tij, kanë abuzuar me miliona euro të shqiptarëve, angazhohet e gjithë qeveria për t’i mbrojtur.

“Ata që vjedhin shtetin duhet të përgjigjen për atë që bëjnë, por standardet janë të dyfishta. Sepse për dikë që kapet se deformon 50 mln euro e mbajmë zv.kryeministre dhe vihet gjithë qeveria në shërbim të faktit që të mbrohet. Dhe kjo e zhbën të gjithë fasadën”, u shpreh ai.

Lapaj u ndal edhe te çështja e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, duke pretenduar se, ndonëse projekti ka rezultuar problematik dhe jashtë standardeve, askush nuk mban përgjegjësi.

“Rruga Qukës–Qafë Plloçë shembet dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. Kur bëhet fjalë për pushtetarë të vendit, kujtohen procedurat dhe konventat evropiane. Por kur qytetari pretendon një të drejtë që i cenohet, i kujtojnë Gjermaninë, Suedinë e Amerikën”, tha ai.

Më tej, Lapaj komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar tri herë dorëheqjen, por se ai vetë e ka refuzuar.

“Sot po na tregon se nuk qenka Belinda problemi, por e di se po ra Belinda bie ky. Pas Belindës është ky. Edhe ky vetë nuk di çfarë ka firmosur më. E kanë trajtuar shtetin si tokë babe”, u shpreh Lapaj.