
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka siguruar një mandat të shtatë radhazi si drejtues i institucionit më të lartë futbollistik në vend.
Ai ishte kandidati i vetëm në garë dhe të 48 anëtarët e Asamblesë Zgjedhore votuan për të.
“Dua t’ju falënderoj edhe njëherë nga zemra për mbështetjen e sotme, për mbështetjen e vazhdueshme që më keni dhënë mua dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Për mua ky nuk është thjesht një votim, është një përgjegjësi e madhe, vlerësim dhe më bën, apo më detyron që të jem akoma më i përkushtuar në shërbim tuaj dhe të FSHF. Ju premtoj që ne do të bëjmë maksimumin që federata jonë, loja dhe futbolli ynë, kampionati, ekipet tona kombëtare, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF-së të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të gjithë ne bashkë të jemi pjesë e Kampionatit Botëror 2026. Suksese Silvinjos, ekipit kombëtar. Faleminderit të gjithëve.” – tha presidenti i sapozgjedhur Duka.
Duka u zgjodh për herë të parë në krye të FSHF-së në vitin 2002.