Vendosni fjalën kyçe....

Durrës/ Babai kërcënon të bijën me thikë, më pas qëllon veten



Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premte në Qerret, Durrës, ku një baba ka kërcënuar me thikë vajzën e tij dhe më pas ka qëlluar veten.

Burime bëjnë me dije se shtetasi Ardian Varrosi, në gjendje të dehur, ka kërcënuar vajzën se do ta vriste me thikë, ndërkohë që më herët dyshohet se e kishte dhunuar. Vajza ka arritur të largohet nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë te fqinjët.

Fqinjët kanë ndërhyrë menjëherë, por sipas burimeve, kryefamiljari ka vijuar me kërcënimet edhe ndaj tyre.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy patrulla policore, të cilat kanë bërë të mundur shmangien e përshkallëzimit të situatës. Në momentin e mbërritjes së policisë, burri është vetëplagosur me thikë në zonën e qafës.

Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Durrës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga stafi mjekësor.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë marrë në pyetje familjarët, ndërsa pritet që, pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, të merret edhe dëshmia e të dyshuarit.