Vendosni fjalën kyçe....

Balliu takim me zyrtarë të lartë gjermanë në Mynih: Shqipëria ka nevojë për institucione të forta dhe të pastra nga korrupsioni



Deputeti Klevis Balliu, i cili ndodhet në Mynih në kuadër të Munich Security Conference, zhvilloi një takim me Tobias Gotthardt, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Zhvillimit Rajonal dhe Energjisë të Bavarias.

Në një postim në Facebook, Balliu bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për Shqipërinë dhe sfidat me të cilat përballet vendi. Sipas tij, Gotthardt e njihte mirë realitetin shqiptar dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të bashkëpunimit institucional.

Në reagimin e tij, Balliu theksoi se Shqipëria ka miq të shumtë në mbarë botën, por nënvizoi se mbështetja e aleatëve do të jetë edhe më e fuqishme nëse pastrohen institucionet nga korrupsioni dhe garantohen standarde të plota të shtetit të së drejtës.

Ai shtoi se vetëm përmes institucioneve të forta, transparente dhe të pakapura nga interesa të paligjshme mund të ndërtohet një partneritet i qëndrueshëm dhe një e ardhme e sigurt për qytetarët shqiptarë.