
Rrëshqitja masive e dherave nga një kodër ka bllokuar gjysmën e karrexhatës në aksin kombëtar Burrel-Rrëshen. Një pjesë e madhe e rrugës është mbuluar nga balta, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve për shkak të rrëshqitshmërisë së lartë.
Përveç rrëshqitjes së kodrës, aksi Burrel-Rrëshen ka edhe gropa të shumta, kryesisht pranë Urës së Urakës, të cilat herë pas here mbushen vetëm me çakull nga firma “Udha sh.p.k”, e cila ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e saj, duke mos investuar në riparime më serioze.
Si pasojë, udhëtarët i bëjnë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar të ndërmarrë masat e nevojshme për rikonstruksionin e rrugës. Aksi Burrel-Rrëshen mbetet një nga rrugët kryesore në veri të vendit, pasi lidh qarkun e Dibrës me atë të Lezhës.