Vendosni fjalën kyçe....

Poliçan, një kompani private synon prodhimin e eksplozivëve civilë


Një kompani private ka kërkuar autorizimet për të ngritur një linjë prodhimi eksplozivësh për përdorim civil në Poliçan.

Sipas dokumenteve të dorëzuara pranë autoriteteve, EXPLO-CHEM INDUSTRIES Shpk ka lidhur që nga gushti i vitit të kaluar një kontratë qiraje me Bashkinë e Poliçanit, ndërsa aktiviteti do të zhvillohet në zonën “Ish Uzina Mekanike Zona B”.

Kompania shpjegon se linja e prodhimit synon të ulë varësinë e industrisë shqiptare nga importet e lëndëve plasëse, duke përfshirë përdorimin në minierat e kromit, hekurit dhe bakrit, hapjen e tuneleve, ndërtimin e puseve, si dhe prodhimin e materialeve ndërtimore si gur gëlqeror dhe dekorativ.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një linjë prodhimi plotësisht të licencuar dhe në përputhje me ligjin shqiptar, për të përmbushur kërkesat e rritura të ekonomisë për lëndë plasëse dhe mjete shpërthyese,” thuhet në dokumentin e dorëzuar. Sipas kompanisë, prodhimi në vend do të ulë kostot e importit dhe do të sjellë përfitime për ekonominë lokale.

Kompania rezulton e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit gusht 2024. Sipas ekstraktit rezulton se ka si aksionerë shtetasin Devrim Gülsuna me 10 për qind të aksioneve, Novak Cetkovic me 40 për qind dhe EKSPLO-ALB me 50 për qind.

Kayo dhe trashëgimia e Kombinatit Mekanik

Uzina e Poliçanit është pjesë edhe e projekteve të qeverisë përmes KAYO SH.A, një kompani shtetërore e themeluar në 2024 dhe e zotëruar plotësisht nga Ministria e Mbrojtjes. Kayo ka në objekt të aktivitetit ndër të tjera projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas faqes së saj zyrtare, Kayo ka trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzines së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzines Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor