
Nga Aurel Plasari
Duke ia lënë sesionit shkencor, që do të zhvillohet nesër, analizën e prurjeve të shumëfishta të Naim Frashërit në kulturën shqiptare, dua të përfitoj nga ky rast përkujtimi dhe të bëj një përpjekje për t’i mbledhur meritat e tij në një, me fjalë të tjera: të bëj një sintezë të përmasave në dukje disparate të tij, si poet dhe si mendimtar, si njeri fetar dhe si atdhetar, si didakt dhe njeri politik.
Është fakt i pabisedueshëm tanimë se me Naimin nuk merren vetëm studiues të poezisë, por edhe filozofë, hulumtues të historisë së Shqipërisë, specialistë të shtetit shqiptar, teologë etj. Besoj se ka qenë Mali Kokojka (Mid’hat Frashëri), në jetëshkrimin për poetin e madh (1901), i pari që ka ngulmuar se Naimi nuk do studiuar vetëm si poet i madh, por edhe si “apostull i idesë së bashkimit kombëtar”.
Pa asnjë dyshim, mrekullitë e artit naimian, ato që janë quajtur “yjet në anën e pasme të natës së parajsës”, kanë joshur dhe do të vijojnë të joshin studiues të vjetër e të rinj, shqiptarë e të huaj. Por merita sintetike e Naimit, merita e meritave, në mund të quhet, duket se është pjesa e ndihmës që dha në “bërjen e Shqipërisë”.
Është një meritë lloji të veçantë, që jo të gjithë poetëve të botës, sado të mëdhenj qofshin, ua njeh historia. Në historinë e Shqipërisë, brenda grupit të ideologëve të Rilindjes shqiptare, këtë meritë historia ua ka rezervuar tre poetëve madhorë të kombit: Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës.
Vetëkuptohet se sot, kur flasim për Shqipërinë, abstragojmë duke kujtuar që ajo të ketë qenë e dhënë një herë e mirë, sikurse është dhe sikurse ka për të qenë. Në të vërtetë, në kohën kur shfaqej Naimi fjala “Shqipëri” për të shumtën e inteligjencies europiane nuk përdorej veçse si një nocion gjeografik, shumë-shumë etnografik.
Vendi që osmanët e quanin “Arnavutluq” nuk përbënte një njësi administrative brenda Perandorisë. Trojet e banuara në shumicë prej shqiptarësh qenë shpërndarë në katër provinca të mëdha (vilayete). Por një ndjenjë e vagullt kombëtare kishte nisur të funksiononte tek ata shumë të paktë shqiptarë që formoheshin në shkollat e mira të Turqisë, të Greqisë, të Austrisë a të Italisë.
Ishte njëherësh koha kur edhe letërsia shqipe, në kuptimin modern të termit, domethënë ajo që e quajmë letërsi refleksive, bënte hapat e parë. Shkrimtarët madhorë të Rilindjes i puq, doemos, fakti që e pasuruan letërsinë shqipe me vlerat e artit të tyre. Por ai çfarë ata i bashkon më esencialisht është fakti që, qoftë edhe veç e veç, në rrethana dhe mjedise të ndryshme social-kulturore, u shndërruan në Shqipëribërës. Në alkiminë e fantazisë së tyre ata përftuan një atdhe fiktiv, një Shqipëri imagjinare, dhe e derdhën në vepra arti.
De Rada nuk e kishte parë kurrë atë, madje vdiq pa ia shkelur ndonjëherë tokën; Naimi e pa shumë pak dhe u shua larg saj, i djegur nga malli për të. Mirëpo transfizika gjeniale e poetëve të kombit diti ta nxirrte këtë Shqipëri nga historia e moçme, e mbushur me luftëra dhe fitore, dhe ta sublimonte në art. Pishtarin që De Rada do ta ndizte në historinë e lavdishme të Skënderbeut dhe të arbneshëve luftëtarë, e merrte Naimi më 1898, për t’ia lënë ndër duar më vonë Lahutës së Fishtës.
E përftuar fillimisht prej poetëve të saj, e lindur si një aspiratë e vagulluar poetike, Shqipëria bëhej kësisoj “bijë e letërsisë së vet”, sikurse është quajtur bukur tanimë. Ernest Koliqi, njëri ndër studiuesit që e kanë rrokur atë proces të fshehtë të kalimit të Shqipërisë nga sfera abstrakte e poezisë në realitetin historik dhe politik, e ka përshkruar kështu këtë sintezë:
“Këta tre poetë, ndonëse të ndryshëm mes tyre, janë tri shprehje të së njëjtës shpirtërorësi flakëruese, tri degëzime të një rrënje të njëjtë që kridhet në thellësitë e mistershme të humusit etnik dhe ushqehet me lëngjet e tij jetësore më të pastra. Ata janë një sintezë e mrekullueshme e shpirtit të kombit në të cilin Islami, ortodoksia dhe katolicizmi harmonizohen në zërin mashkullor të gjuhës së lashtë të përbashkët dhe në rrahjet e një gjaku të përbashkët trimëror. Ortodoksi De Rada, muhamedani Naim Frashëri dhe katoliku Gjergj Fishta i bashkojnë valët e poezisë së tyre në një shtrat të përbashkët; në atë sipërfaqe linfash të kulluara, të përziera gjithë dashuri, pasqyrohet Shqipëria me minaret e saj ajrore, me kumbonaret e saj katolike dhe me kupolat e saj bizantine”.
Shfaqja e Naimit në jetën mendore shqiptare përkonte, pak a shumë, me një nga periudhat më të vështira për shqiptarët nën Perandorinë osmane. Kur Naimi shfaqej, jeta e Perandorisë vijonte të shtjellohej brenda qarkut të grupimeve fetare. Në Shqipëri kjo ndarje e organizuar kishte sjellë divergimin gjithnjë më të madh mes shqiptarëve myslimanë, shqiptarëve ortodoksë, shqiptarëve katolikë.
Ishte një divergim që, nga njëra anë, favorizonte një zhvillim shoqëror-politik e kulturor të veçuar të tri elementeve; nga ana tjetër, shqiptarët shndërroheshin në pakica për bashkësitë e mëdha fetaro-kulturore të myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve të Ballkanit. Kjo ishte shkepja e madhe shqiptare, që rrezikonte t’i çonte ata drejt shpërbërjes përfundimtare.
Edhe për vetë prijësit e lartë ushtarakë me prejardhje shqiptare, që në Perandori nuk qenë të pakët, luftërat nuk lidheshin me kombësinë, por me fenë. Në vend që të punonin për të fituar lirinë, ata jo vetëm nuk i linin grindjet njëri me tjetrin dhe nuk bashkoheshin, por kishte raste që nën urdhrat e sulltanit luftonin si kundër fqinjëve, ashtu dhe kundër bashkatdhetarëve të besimit tjetër.
Në kuptimin etnik ishte një shqiptar, Mahmud Pashë Bushatlliu, ai që në krye të një ushtrie prej 20.000 shqiptarësh luftonte si kundër malaziasve, edhe kundër shqiptarëve gjatë fushatës në Moré (1770). Shqiptar ishte edhe Mustafa Pasha, nip i tiji, që marshonte me shqiptarët e vet kundër Marko Boçarit dhe trupës së tij. Ishte përsëri një shqiptar, Ali Pashë Tepelena, që digjte me zjarr dhe hekur republikën e Sulit, therte suljotët, masakronte kardhiqotët, madje me urdhër të sulltanit marshonte edhe kundër Shkodrës.
Mund të thuhet që, në qoftë se fetë do ta kishin ruajtur pushtetin e tyre deri në fund, me po atë rregull e disiplinë që e kishin mbajtur në kulmet e pushtetit perandorak, atëherë kurrë nuk do të kishin lindur lëvizjet kombëtare, jo vetëm te popujt e sunduar, por as te vetë populli sundues turk. Në këso rrethanash u ngrit Naimi dhe u kujtoi shqiptarëve paradigmën: “Kemi të gjithë një shpirt, një gjuhë, një zemër, një mendje”.
Kështu ndërgjegjja fetare, që kishte funksionuar si fuqi e vetme në grupimet e deriatëhershme, qoftë myslimane, qoftë e krishterë, zinte e tërhiqej për të lëshuar terren. Feja fillonte të mos ishte më qëllim, por të përdorej si mjet. Sado që për shumë hulumtues të huaj të Çështjes ballkanike ky proces mbetet ende i pakuptueshëm, “anormal”, pikërisht këtu qëlloi misioni ideologjik i Naimit brenda Lëvizjes kombëtare shqiptare. Dobësimi i ndërgjegjes fetare, si te myslimanët, ashtu edhe te krishterët, do të shpinte në shthurjen e lidhjeve të solidarësisë mbi të cilat bazoheshin deri atëherë grupimet e vjetra.
Pranë kishave, sidomos të veriut, ishin hapur shkolla shqipe; tani shkolla shqipe hapeshin edhe pranë teqeve. Naimi poet ishte i ndërgjegjshëm se lufta për Shqipërinë e ëndërruar bëhej me libra, me shtypshkronja, me revista dhe gazeta. Ndër tre poetët madhorë të kombit shqiptar, Naimit i ra barra e poetit që do t’i jepte goditjen organizimit të vjetruar. Dhe roli i tij në këtë proces është, pa dyshim, unikal.
Poeti i brishtë e shëndetlig, me mushkëri gjithnjë më të dobëta, ushtroi pushtetin e vet të mrekullishëm për ta riformuar ndërgjegjen e popullit të tij. Individi shqiptar, nga Naimi e këndej, nuk do të ishte më as vetëm mysliman, as vetëm i krishterë. Organizimi fetar detyrohej të dorëzojë pushtetin e vet në duart e lavrimit të gjuhës kombëtare.
Sikurse shqiptarët ortodoksë sa vinin e çliroheshin nga grupimi fetar i Fanarit, edhe shqiptarët myslimanë çliroheshin nga grupimi fetar i Hilafetit nëpër një proces të dhembshëm e gati tragjik. Këtë shembull të myslimanëve shqiptarë do ta ndiqnin dikur edhe vetë turqit, duke rrëzuar edhe ata, me një grusht të fuqishëm rebelimi, Hilafetin e tyre të shenjtë e të bekuar.
Naimi poet, Naimi mendimtar, Naimi didakt, në shumë pikëpamje u dëftua edhe më i kthjellët nga mjaft rilindës të tjerë mirëfilli “filozofë”. Kujtoj kalimthi se vetë Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vretoja etj. nuk kishin ide aq të kthjellëta sa të Naimit mbi të ardhmen e Shqipërisë.
Pashko Vasa, për shembull, në veprën e tij ‘E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët’ (1878) nuk shfaqej as për një Shqipëri të pavarur, as për një Shqipëri autonome. Samiu mbërrinte deri tek autonomia, kur shkruante: “Kjo qeveri, sa të jetë Turqia në Evropë, duam të jetë nën’ atë, dhe po s’na goditi e të na dëbonjë vetë, kurrë nuk do të duamë të ndahemi fare soje”.
U ngrit atëherë Naimi, një bektashi i mirë, dhe këndoi trimëritë luftarake të Skënderbeut, të rebelit që kishte ngritur shpatën kundër Muratit II dhe birit të tij Mehmetit. Naimi lavdëronte Gjergj Kastriotin, “Atletin e Krishtit”, duke i ftuar shqiptarët të bashkoheshin nën emrin e tij për të rindërtuar atdheun e rrënuar nga turqit. Emri i Skënderbeut vente e vinte në të gjitha shkrimet e arbëreshëve të Italisë, por tjetër efekt kishte ai mes popullit të trullosur të Shqipërisë kur dilte Naimi dhe bënte thirrjen kundër “qenit” Turk.
Roli i Naimit si Shqipëribërës, me sa po kuptohet gjithnjë më qartë, nuk është i shpjegueshëm pa bektashizmin. Në periudhën në fjalë myslimanët shqiptarë ndodheshin në pozicione të ndryshme ndaj organizimit shtetëror perandorak. Bektashinjtë, të përndjekur ashpër duke filluar nga 1826-a, nuk e ndienin veten të lidhur me fatet e Perandorisë osmane. Ata bënë të vetën çështjen e pavarësisë kombëtare dhe u dalluan për përpjekjet aktive – të ngjashme sidomos me ato të bashkësisë katolike – për ngjalljen kulturore të kombit, përhapjen e gjuhës shqipe, adoptimin e alfabetit latin në vend të atij arab etj.
Do të na mjaftonte të rilexonim sot ‘Fletoret e Bektashinjet’ (1896) të Naimit për ta kuptuar se sufizmi i bektashinjve nuk ishte as një aksident, as një rastësi në jetën shpirtërore të shqiptarëve. Sufizmi i bektashjinjve i përgjigjej në thelb kërkesës për një besim joformalist, që ta kapërcente dekalazhin mes Njeriut dhe Zotit, karakteristikë për besimin sunit.
Me vëmendjen e tyre të veçantë ndaj nevojave shpirtërore të besimtarëve, bektashinjtë i përgjigjeshin mjaft mirë kësaj nevoje. Toleranca ndaj besimeve të tjera dhe sinkretizmi i dokrinave të tyre u binin për shtat kërkesave të një popullsie që dallohej në trojet e veta për bashkëbanim të hershëm të bashkësive të ndryshme fetare.
Gjithsesi, më shumë se toleranca, se sinkretizmi doktrinar apo se prirja për modernizim, ajo çfarë përrcaktoi lulëzimin e bektashizmit ndër shqiptarët ishte padyshim pjesëmarrja e tyre në Lëvizjen kombëtare, dhe model i kësaj pjesëmarrjeje u bë pikërisht Naimi.
Bektashizmi bashkëpunoi në procesin origjinal të konvergimit të besimeve që u zhvillua në Shqipëri në fund të shek. XIX dhe në fillim të atij XX. Ky proces bëri që, në një komb të ndarë mes myslimanësh e të krishterësh, ai të quhej edhe shpresë e së ardhmes, i paracaktuar për të luajtur rolin e ndërmjetësit paqtues. Koha vërtetoi se kjo shpresë nuk ishte veçse një idealizëm i pastër, kryesisht i mbështetur prej të huajsh. Ndonëse dashamirë, ata nuk e njihnin sa duhet realitetin shqiptar. Mirëpo edhe idealizmi bektashian, si çdo idealizëm, e kishte një themel real.
Nga njëra anë, gjatë luftës për çlirim kombëtar u pa se në Shqipëri, në momente emergjencash historike, ishte i mundshëm një bashkim shpirtëror shqiptar i ngritur përmbi besimet. Nga ana tjetër, në Lëvizjen kombëtare shqiptare, veçanërisht për ç’i përket problemit të përcaktimit të raportit fe-kombësi, fe-atdhe etj., bektashizmi e dha një ndihmë jo të vogël. Sado që mbetet për t’u ndriçuar ndikimi që ushtroi doktrina bektashiane në strukturimin e ideologjisë së Lëvizjes në fjalë, nuk ka dyshim se gjurmët më të qarta të kësaj marrjeje e dhënieje do t’i gjejmë te Naimi, i cili vuri në vargje idealet e kësaj Lëvizjeje.
Ndoshta u zgjata me përpjekjen për t’i mbledhur meritat e Naimit në një, për të formuluar “meritën e meritave” të tij. Por besoj se këso rastesh përkujtimi nuk mund t’i ikin qëllimit që të ndriçojnë figurat e paraardhësve tanë të mëdhenj për tërthor realiteteve të sotme. Vetë fakti i të mbledhurit tonë për Naim Frashërin, qoftë edhe në këtë epokë të mbushur me preokupime materiale, dëshmon se veprën e një veprimtari Shqipëribërës si ai nuk mund ta lëvizin nga vendi as kalimi i kohës dhe as ligësitë e motit; nuk mund ta tronditin as kundërshtitë e vrazhda të historisë dhe as kritika e angazhuar për t’ia përndjekur atij shpirtin e kredhur në shpirtin e pafund të universit.
Shqiptarët mblidhen për Naimin e tyre në kohë ende jo fort të mbrothta për ta: kur rreziqet jetike mes të cilave kanë mbijetuar ende nuk janë reshtur, kur ata vetë ende nuk kanë dalë plotësisht nga kaosi i aventurave në të cilat i përfshiu historia, kur në garën e madhe të qytetërimit i presin përsëri sfida jo të vogla. Rastet e përkujtimi të figurave si Naimi do të reduktoheshin në llomotitje – sadokudo moderne – bejtexhinjsh pa përsiatjen tonë të vijueshme për të ardhmen tonë si shqiptarë edhe në vizionin e botës së nesërme.
Vorbulla e zhvillimit që na përfshin të gjithëve, tanimë në pragun e shek. XXI, dhe që mbështetet mbi informatikën dhe mikroelektronikën, trurin elektronik dhe robotikën, pllenimin artificial, manipulimin gjenetik etj., nuk mund të na hutojë për të mos dalluar se asnjë proces i së ardhmes nuk përmbushet dot pa kthimin e fuqishëm të të gjithë popujve te themelet e tyre shpirtërore.
Në qoftë se themelet e Shqipërisë mbështeten në atë trashëgimi shpitërore që na lanë poetët madhorë të kombit: një De Radë, një Naim apo një Fishtë, kemi të drejtë atëherë të denoncojmë si të mbapshtë çdo përpjekje për të ndërtuar diçka jashtë këtyre themeleve. Të përpiqesh ta shmangësh kombin shqiptar nga këto themele, do të thotë ta shkulësh atë nga rrënjët e veta jetike. ]Të rrekesh t’ia mbulosh a t’ia tjetërsosh kombit shqiptar këto themele, do të thotë që, në vend të Shqipërisë vezulluese, dalë nga frymëzimi alkimik i poetëve të vet, të sajosh një atdhe të ndërtuar mbi rërë, një Shqipëri që kurrgjë nuk ka të bëjë me qytetërimin e vërtetë të cilit i përket në shekuj.
1994 / 2001
Forto nga shtypi: kujtim i viteve’ 90 fb ©©©© a.p.
fb a.p.
