
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nga Komisioni për Reformën Zgjedhore kërkoi që OSCE/ODIHR të japë asistencë për hartimin e ligjit të ri zgjedhor.
Mediu theksoi se shumë rekomandime të dhëna ndër vite nga OSBE-ODIHR nuk janë zbatuar ende, ndërsa shtoi se reforma duhet të rikthejë parlamentarizmin në vend.
“Dua të theksoj se prej 2013-ës kemi të njëjtën histori dhe shpresoj që mos të përsëritet. E nisim me vullnet të mirë që duam të bëjmë reformë zgjedhore dhe pas 2013 procesi zgjedhor ka degraduar dhe asnjë nga ne si politikë s’do të donim të ishim të involvuar në vendimmarrjen e qytetarëve.
Ka shumë rekomandime të OSBE-ODIHR që nuk janë plotësuar. Ne si përfaqësues të Kuvendit duhet të gjejmë me më shumë vëmendje mendimin teknik, mos t’i dublojmë ata dhe ata ne. A kemi kërkuar asistencë nga ODIHR? Ata kanë qenë të dobishëm, mbaj mend historinë e 2001-2005.
Duhet t’i adresohemi ODIHR për asistencë teknike. Kjo reformë duhet të vijë në përputhje me atë që kërkon Kushtetuta, parlamentarizmi. Partitë politike bëjnë garë, qytetarët vendosin. Kemi rreth 60-70 % të parlamentit që është i emëruar”, u shpreh Mediu.