Vendosni fjalën kyçe....

Koloneli amerikan në pension burgoset pasi i tregoi sekretet një gruaje që njohu online


Një kolonel në pension i Ushtrisë së SHBA-së është dënuar me dy vjet burg për ndarjen e informacioneve të klasifikuara mbi planet e luftës së vendit me një grua që e kishte njohur online, njoftoi Departamenti i Drejtësisë të mërkurën.

Kevin Charles Luke, 62 vjeç, shërbeu në detyrë aktive dhe në rezervë për gati katër dekada përpara se të dalë në pension si kolonel në vitin 2018. Më vonë, ai vazhdoi të punonte si punonjës civil për Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake të vendit në mbarë botën.

Prokurorët thanë se koloneli në pension ndau informacione të klasifikuara në tetor 2024, duke pretenduar se ai i dërgoi një gruaje një mesazh me tekst nga celulari i tij personal ku shkruhej: “ia dërgova shefit tim më herët, po të jap një mundësi të shohësh se çfarë bëj për të jetuar.”

Mesazhi u pasua nga një foto e ekranit të kompjuterit që tregonte një email që ai kishte dëguar nga llogaria e tij qeveritare. Një vit më vonë, Luke u deklarua fajtor, duke pranuar si pjesë të marrëveshjes me drejtësinë se kishte abuzuar me pozicionin e besimit publik.

Sipas dokumenteve gjyqësore të lëshuara nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin e Mesëm të Floridës, Luke gëzonte autorizimin e sigurisë “top sekret” si gjatë shërbimit të tij në Ushtri, ashtu edhe më vonë si punonjës civil.

Zyra vuri në dukje se ai kishte nënshkruar një Marrëveshje për Moszbulimin e Informacionit (NDA) në shkurt 2019, duke treguar se ai e kuptonte detyrimin e tij për të mbrojtur informacionin e klasifikuar. Luke e kishte njohur gruan, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, online dhe kishte filluar të komunikonte me të duke përdorur telefonin dhe kompjuterin e tij personal.

Rasti i Luke shënon një tjetër ngjarje në vargun e veprimeve të fundit gjyqësore që përfshijnë personel ushtarak të SHBA-së, të cilët ose kanë ndarë informacione të klasifikuara me njerëz që kanë njohur online, ose i kanë bërë ato publike, shkuran Rt.

Në tetor, nënkoloneli në pension David Franklin Slater u dënua me gati gjashtë vjet burg për rrjedhjen e detajeve të klasifikuara rreth konfliktit në Ukrainë te dikush që ai besonte se ishte një grua në një faqe të huaj takimesh.

Në nëntor, Jack Teixeira, një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts, u dënua me 15 vjet burg për rrjedhjen e dokumenteve ushtarake tepër sekrete rreth konfliktit në Ukrainë.