
Tenderët që lidhen me sistemet e informacionit dhe teknologjisë kanë mbetur së fundmi “dyerve” të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Shumica e atyre që shkojnë me vlera miliona euro ankimohen vazhdimit në hallka të ndryshme nga dokumentet e tenderit tek vlerësimi duke i zgjatur procedurat pafund për finalizimin e një kontrate.
Një rast i tillë është edhe ai për procedurën “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”.
Ky tender me fond limit 770 milionë lekë apo 7.7 milionë euro u pezullua nga KPP thuajse 10 ditë më parë teksa një vendim i datës 11 shkurt heq këtë pezullim duke i lejuar autoritetit kontraktor që të vijojë me hapat e radhës. Sipas KPP autoriteti në këtë rast Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që po zhvillon këtë procedurë për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka reflektuar kërkesat e bëra më herët nga Komisioni.
Tenderi për sistemin e fiskalizimit
Tenderi me objekt kontrate Mirëmbajtje e Modulit te Menaxhimit te Kontrollit te Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme te Tatimeve u hap në prill të vitit të shkuar. Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën, qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit (sistemi i fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një periudhë prej 24 muajsh.
“Qëllimi është garantimi i funksionimit të plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentët e tij: softuer dhe pajisje fizike (hardëare). Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për vetë administratën tatimore”, thuhet në dokumente.
Në dokumentacion theksohet se disponueshmëria e sistemit të fiskalizimit është shumë e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizimit dhe portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund të pësojnë ndërprerje për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për qëllime përditësimi (upgrade, update) apo modifikime të tjera.
“Shërbimet e ofruara për tatimpaguesit (fiskalizimi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i tyre, etj.), si dhe për administratën tatimore, duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë,” theksohet më tej.
Aktualisht, ky sistem përdoret nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa në përdorim të brendshëm është i aksesueshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara. Dokumentet e tenderit përshkruajnë kërkesat dhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor