
Dioqeza e Bruklinit, e cila ka paguar tashmë mbi 100 milionë dollarë për viktimat, ka njoftuar se do ndjekë një “zgjidhje globale” për të mbyllur 1,100 paditë e mbetura për abuzim seksual të fëmijëve të ngritura kundër priftërinjve dhe stafit të saj katolik. Në një letër të enjten, Peshkopi i Bruklinit, Robert Brennan, shkroi se dioqeza do fillojë “shkurtimin e kostove dhe lënien mënjanë të fondeve të konsiderueshme për të dëmshpërblyer viktimat e të mbijetuarit”.
“Procesi i grumbullimit të këtyre fondeve kërkon zgjedhje të vështira financiare, por Dioqeza është e përkushtuar të dëmshpërblejë në mënyrë të drejtë të gjitha pretendimet e bazuara,” tha ai. Ai pohoi se avokatët e viktimave ranë dakord që zgjidhja jashtë gjykatës do kursejë “kohë, shpenzime dhe ngarkesë emocionale për viktimat e të mbijetuarit, që do shkaktoheshin nga gjyqet individuale”.
Zgjidhja pritet të jetë një goditje e madhe financiare, duke e detyruar dioqezën të shesë pasuri të paluajtshme për të grumbulluar ato që ka gjasat të jenë qindra miliona dollarë, shkroi New York Post të enjten. Dioqeza u ka paguar tashmë mbi 500 të mbijetuarve të abuzimit seksual më shumë se 100 milionë dollarë sipas Programit të saj të Pavarur të Pajtimit dhe Kompensimit, i cili filloi në vitin 2017. Asnjë nga pagesat nuk ka ardhur dhe as nuk do të vijë nga donacionet e besimtarëve, shkroi Brennan.
Distrikti kishtar i Brennanit u shërben 1.3 milionë katolikëve në të gjithë Bruklinin dhe Kuinsin në Nju Jork. Shumica e padive datojnë në vitet 1960 dhe 1970. Në dhjetor, Arkidioqeza fqinje e Nju Jorkut, e cila mbikëqyr Bronksin, Manhatanin dhe Staten Island, ra dakord të paguante 300 milionë dollarë për të dëmshpërblyer 1,300 njerëz që kanë akuzuar klerin dhe stafin e saj për abuzim seksual, shkruan Rt.