
Kreu i Partisë Mundësi, Agron Shehaj, iu bashkua sot protestës së banorëve të Rrjollit në Velipojë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonën e tyre, si dhe banorëve të Durrësit që preken nga projekti TID, të cilët po protestojnë përpara Kuvendit.
Në fjalën e tij, Shehaj deklaroi se çështja e pronave është thellësisht politike dhe akuzoi qeverinë për bashkëpunim me oligarkët në dëm të qytetarëve.
“Kjo është një çështje në fakt politike sepse pronat nuk i vjedh vetëm oligarku, e vjedh oligarku me klasën e korruptuar politike që kemi në Parlament. Askush nuk ua vjedh dot pronat pa lejen e tyre, janë ortakë”, u shpreh ai.
Shehaj u bëri thirrje banorëve që të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë betejën për të drejtat e tyre, duke u garantuar mbështetjen e tij.
“Në lidhje me pronat njerëzit janë lodhur dhe mund të heqin dorë, por mos u dorëzoni. Ne do të na keni në krahë kurdo që të kërkoni të drejtën tuaj”, tha kreu i Partisë Mundësi.