Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Bëni publike dosjen e Ballukut, po mbroni një të korruptuar/ Peleshi: Po respektojmë sekretin hetimor



Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i bëri thirrje Kuvendit që të bëjë publike dosjen që, sipas tij, lidhet me çështjen e Belinda Ballukut. Nga foltorja e Parlamentit, ai akuzoi maxhorancën se po mbron të korruptuarit dhe kërkoi vënien e menjëhershme në dispozicion të dokumentacionit.

“Kemi një muaj që keni marrë dosjen e Ballukut dhe nuk na e keni dërguar. Ajo dosje në këtë Kuvend thuajse nuk ekziston. Po mbroni një të korruptuar, po mbroni me postin tuaj korrupsionin. Kjo është e papranueshme. Kërkojmë që sa më shpejt të vihet në dispozicion dosja, jo si nder por sepse na takon. Ndryshe do t’i drejtohemi GJK dhe turpi do mbetet mbi ju. Jeni i vetmi kryetar Kuvendi që keni fshehur dosje të këtij kalibri. Shqiptarët duhet të dinë si dhe me kë ka vjedhur Belinda Balluku”, u shpreh Shehaj.

Ai ngriti gjithashtu pyetjen mbi përgjegjësitë që, sipas tij, mund të bien jo vetëm mbi ministren Balluku, por edhe mbi qeverinë apo opozitën, nëse ka përgjegjësi nga ana e tyre.

Nga foltorja e Kuvendit, Peleshi mohoi që materialet të jenë kyçur apo bllokuar, duke theksuar se ato janë vënë në dispozicion sipas rregullave ligjore, por nuk mund të bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.

“E thënë këtu në sallën e Kuvendit kanë peshë të madhe. Nuk është e vërtetë që janë kyçur materialet dhe provat. E ka tërhequr sipas rregullave dhe ligjit, kundrejt deklaratës për ruajtjen e sekretit hetimor të paraqitur nga SPAK, të gjithë deputetët që kanë kërkuar, anëtarët e Këshillit të Mandateve. E harruat atë togfjalësh; Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve. Raporti ka këtë qëllim. Raporti do të vijë në seancë. Rregullorja na detyron që të përfshihen opsionet e palëve. Mos bërtisni, s’ju jep të drejtë tonaliteti. Dëgjo argumentin. Do të votojmë pasi të dëgjojmë raportin e përgatitur nga deputetët që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve. Deputetët që kanë marrë materialet, nuk duhet t’i nxjerrin ato, mos t’i bëjnë publike, pasi bëhet fjalë për një sekret hetimor. Është çështje e detyrim ligjor, ka një urdhër për këtë çështje. Unë po zbatoj ligjin dhe Kushtetutën. Ju keni të drejtë që të bëni politikë dhe retorikë”, u shpreh Peleshi.