Vendosni fjalën kyçe....

Braçe i kujton Berishës 21 janarin: Një protestë që pati 4 të vrarë, jo me ujë po me plumb në lule të ballit



Deputeti socialist Erion Braçe iu përgjigj sot akuzave të kryetarit të PD, Sali Berisha, lidhur me përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestës së 10 shkurtit. Braçe theksoi se ngjarjet e tilla nuk mund të injorohen dhe kujtoi tragjedinë e “21 janarit”, duke e konsideruar si një precedent që do t’i përndjekë gjithmonë për ata që i kryen këto veprime.

“Para dy ditësh pati deputetë me molotov në dorë që tentuan të hynin në Parlament. Sot të njëjtët deputetë nuk i shoh në sallë. Në ‘21 janar’, një protestë paqësore përfundoi me katër të vrarë, jo me ujë, por me plumb në lule të ballit, dhe 14 të tjerë të plagosur – me plumb, jo në këmbë, por në trup,” tha Braçe.

Ai shtoi se nuk mund të mohohet përdorimi i forcës ndaj protestuesve dhe paralajmëroi se drejtësia një ditë do të vendoset, duke u bërë e qartë se ngjarje të tilla nuk do të harrohen: “Ju do t’ju përndjekë ajo ngjarje deri sa ai lart t’ju marrë. Por në këtë vend do të bëhet drejtësi një ditë.”

Braçe gjithashtu kritikoi ato deklarata që minimizojnë incidentet, duke e cilësuar përdorimin e plumbave të gomës si një akt serioz dhe jo thjesht një masë sigurie për mbajtjen e rendit.