
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Balla theksoi se nuk ka asnjë dyshim që Këshilli do ta marrë në shqyrtim kërkesën, ndërsa shtoi se procesi do të vijojë në përputhje me atë që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, duke pritur edhe zbardhjen e plotë të vendimit.
“Nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën”, tha Balla.
Ai sqaroi se qëndrimi i grupit parlamentar të PS-së është në përputhje me procedurat parlamentare dhe afatet e përcaktuara.
“Qëndrimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është tërësisht në përputhje me Kuvendin. Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli ka një kohë të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në Këshill qartazi ka thënë sesa kohë kishte një çështje ku palë e përfshirë ishte Kuvendi i Shqipërisë, natyrshëm që ishim të detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur një vendim, edhe pse 8 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë palës kërkuese, kryeministrit që kishte ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Ministrave, parlamentit dhe presidentit. Nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën, ndërkohë që ne do të vijojmë me një proces adresimi të asaj që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Na duhet ta marrim vendimin të zbardhur. I bëj thirrje që edhe pse nuk arritët dot të merrnin vendim, shpresoj shumë ta zbardhni vendimin dhe ta publikoni në fletoren zyrtare, Kuvendi i Shqipërisë, siç ka bërë në të gjitha rastet, edhe kur nuk është marrë jurisprudencë, na duhet ta lexojmë”, u shpreh Balla.
Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet në vijim për të shqyrtuar kërkesën në fjalë, ndërsa mbetet për t’u parë se kur do të publikohet vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese.