Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Rama kërkon ta bëjë veten të paprekshëm me ndryshimet në Nenin 242, por s’ia del dot



Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi se përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të shmangur përballjen me drejtësinë përmes ndryshimeve në Nenin 242 të Kodit Penal nuk do të realizohen, pasi sipas tij paprekshmëria e pushtetarëve është e ndaluar nga Kushtetuta.

Në një reagim publik, Shehaj theksoi se ndryshimet e paralajmëruara nga mazhoranca synojnë të ndalojnë pezullimin nga detyra të funksionarëve të lartë, përfshirë Kryeministrin dhe ministrat, në rast se kjo kërkohet nga organet e drejtësisë.

“Rama nuk e ndryshon dot me nenin 242 fatin e tij dhe të korruptuarve. E para sepse paprekshmëria ndalohet me Kushtetutë, askush nuk është mbi ligjin dhe e dyta sepse vendimi për fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri e kanë marrë në Perëndim dhe Edi Rama nuk ka çfarë t’i bëjë”, shprehet Shehaj.

Sipas tij, aktualisht ligji parashikon që pezullimi nga detyra nuk zbatohet për deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, ndërsa me ndryshimet e reja synohet që kësaj liste t’i shtohen edhe Kryeministri dhe ministrat.

“E vërteta është që Edi Ramës i ka ikur mendja, drejtësinë e ka shumë afër, e di shumë mirë që me vendim gjykate, mund të pezullohet nga detyra. Ka dalë haptaz kundër drejtësisë dhe do të mbrohet me çdo kusht nga drejtësia. Por nuk ka për t’ia dalë kurrë”, deklaroi ai.

Debati vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Kryeministri Rama ka paralajmëruar më herët se mazhoranca do të ndërmarrë ndryshime ligjore për të ndaluar pezullimin nga detyra të zyrtarëve të zgjedhur apo të emëruar në poste të larta shtetërore, përfshirë Presidentin e Republikës, Kryeministrin, anëtarët e kabinetit qeverisës, Avokatin e Popullit, kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.