
Ekonomia amerikane krijoi 130,000 vende të reja pune gjatë janarit, duke shënuar zgjerimin më të fortë në mbi një vit dhe duke sinjalizuar se tregu i punës mund të jetë duke dalë nga periudha e stagnimit të fundit.
Rritja e janarit u përqendrua kryesisht në sektorin e shëndetësisë dhe asistencës sociale — përfshirë asistentët e kujdesit shëndetësor në shtëpi dhe punonjësit e strukturave rezidenciale — i cili ka qenë kontribuuesi kryesor në hapjen e vendeve të punës muajt e fundit. Në sektorë të tjerë u evidentuan gjithashtu shenja qëndrueshmërie: ndërtimi dhe prodhimi shtuan punonjës, ndërsa transporti dhe magazinimi, informacioni, shërbimet financiare dhe administrata publike regjistruan humbje vendesh pune.
Sipas Departamentit të Punës, shifra e janarit përmirëson ndjeshëm rezultatin e rishikuar prej 48,000 vendesh pune në dhjetor dhe tejkalon parashikimin prej 55,000 vendesh të analistëve të anketuar nga The Wall Street Journal.
Pas publikimit të të dhënave, tregjet reaguan pozitivisht: indeksi Nasdaq Composite u rrit me 0.7%, ndërsa S&P 500 dhe Dow Jones Industrial Average fituan rreth 0.5% secili.
Rritja më e fortë që nga dhjetori 2024 vjen pas një periudhe ngadalësimi gjatë vitit 2025, veçanërisht në dritën e rishikimeve të reja që tregojnë sa sfidues ka qenë tregu për punëkërkuesit.
Rishikimet, pjesë e procesit periodik të përditësimit, ulën ndjeshëm vlerësimet e mëparshme të punësimit që shtriheshin deri në afro dy vite më parë. Si rezultat, ekonomia amerikane rezulton të ketë krijuar vetëm 1.2 milionë vende pune në vitin 2024, nga 2 milionë që vlerësoheshin fillimisht. Ngadalësimi ishte edhe më i theksuar në vitin pasues, me vetëm 181,000 vende të reja, krahasuar me 584,000 të raportuara më parë.
Raporti i janarit pritet të forcojë qasjen “prit dhe shiko” të Rezervës Federale, duke e bërë më të vështirë për zyrtarët që të justifikojnë ulje të tjera të normave të interesit bazuar në dobësi të tregut të punës.
Të dhënat mund të forcojnë argumentet e zyrtarëve më “fajkonj” në politikën monetare, të shqetësuar për inflacionin, të cilët do të theksojnë se normat aktuale të interesit nuk po e frenojnë ndjeshëm aktivitetin ekonomik. Ndër treguesit që mbështesin këtë argument përfshihen rënia e vazhdueshme e papunësisë, pakësimi i numrit të punonjësve me kohë të pjesshme për mungesë mundësish me kohë të plotë, si dhe reduktimi i papunësisë afatgjatë — zhvillime që sugjerojnë stabilizim pas dobësimit që çoi në tre ulje radhazi të normave vitin e kaluar.
Në mbledhjen e fundit në fund të janarit, Rezerva Federale vendosi të mbajë të pandryshuara normat e interesit, pas tre uljeve të njëpasnjëshme. Kryetari Jerome Powell theksoi rritjen më të fortë ekonomike dhe sinjalet e para të stabilizimit të tregut të punës. Të dhënat e inflacionit për janarin pritet të publikohen të premten.
Prej muajsh, tregu amerikan i punës karakterizohet nga një kujdes i shtuar i kompanive për të mos hapur vende të reja, por pa ndërmarrë shkurtime masive. Kjo situatë ka vështirësuar hyrjen në treg për të diplomuarit e rinj dhe ka zgjatur periudhat e kërkimit për shumë të papunë.
Megjithatë, nuk kanë munguar njoftimet për shkurtime të mëdha, ndërsa kompanitë po rishikojnë zgjerimin e vrullshëm të periudhës së pandemisë. Amazon dhe UPS njoftuan reduktime të konsiderueshme të stafit muajin e kaluar.
Rritja e kostove dhe pasiguria lidhur me politikat e tarifave të Presidentit Trump kanë shtuar hezitimin e bizneseve për punësime të reja. Disa kompani po shqyrtojnë përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale për të zëvendësuar funksione të caktuara. Ndërkohë, politikat e deportimit kanë vështirësuar gjetjen e fuqisë punëtore në disa sektorë. Lëvizshmëria e ulët e punonjësve drejt vendeve më të mira pune ka kufizuar gjithashtu hapësirën për rekrutime të reja.
Të dhënat deri në dhjetor tregojnë se rritja e punësimit vitin e kaluar ishte përqendruar kryesisht në shëndetësi dhe asistencë sociale — një sektor që historikisht zgjeron aktivitetin pavarësisht ciklit ekonomik, pasi kërkesa për këto shërbime mbetet konstante.
Sektorë të tjerë kanë pësuar tkurrje. Përpjekjet e administratës Trump për të ulur shpenzimet publike kanë reduktuar forcën punëtore federale përmes pushimeve nga puna dhe largimeve vullnetare me kompensim. Edhe prodhimi, që synohej të përfitonte nga tarifat e reja agresive, ka regjistruar rritje të humbjeve të vendeve të punës.
Publikimi i raportit të së mërkurës u shty për shkak të një mbylljeje të pjesshme federale. Një mbyllje më e gjatë në vjeshtë ndërpreu në mënyrë më të ndjeshme publikimin e të dhënave, duke vështirësuar vlerësimin e gjendjes reale të tregut të punës, shkruan Wall Street Journal.
Sipas indeksit të ndjesisë së konsumatorit të Universitetit të Miçiganit, besimi i konsumatorëve është përmirësuar lehtë muajt e fundit. Megjithatë, niveli paraprak i shkurtit, 57.3, mbetet dukshëm më i ulët se 64.7 i një viti më parë.
Ekonomistët vlerësojnë se uljet e taksave dhe stimujt për investime të parashikuara në legjislacionin e gjerë fiskal të miratuar verën e kaluar mund të mbështesin punësimin në vitin 2026, edhe në kushtet e pasigurive që lidhen me inflacionin dhe tarifat.