Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas protestës së opozitës: Drejtësi për policët e plagosur, Berisha si Robert Mugabe



Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së djeshme të opozitës, ku pati përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Në një mesazh të publikuar në platformën X, Rama ka ironizuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e krahasuar me ish-udhëheqësin e Zimbabves, Robert Mugabe. Ai ka bërë gjithashtu thirrje që drejtësia të veprojë për policët e plagosur gjatë protestës.

Reagimi i Ramës

“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!

Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!

Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.”

Protesta e opozitës u shoqërua me tensione dhe përplasje, ndërsa disa efektivë policie mbetën të plagosur.