
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e cilëson si tentativa për të ndërhyrë me “ligje me porosi” në Reformën në Drejtësi. Përmes një postimi në Facebook, Meta shprehet se pas ligjeve të miratuara, sipas tij, në favor të biznesmenëve të lidhur me kryeministrin Edi Rama, tashmë po synohet ndërhyrje edhe mbi vetë reformën.
Në reagimin e tij, Meta thekson se shqetësimi kryesor, sipas tij, lidhet me një “rrezik potencial” për pezullimin e Presidentit të Republikës.
“Tani, ligje me porosi edhe mbi Reformën në Drejtësi.
Kemi qenë dëshmitarë të ligjeve me porosi, të miratuara në shkelje të Kushtetutës, për të favorizuar biznesmenë të caktuar të lidhur ngushtë me Edi Ramën.
Jo vetëm që i kemi denoncuar publikisht këto akte, por i kemi kallëzuar edhe në SPAK.
Por tani dëgjojmë se do të ketë ligje me porosi edhe mbi vetë Reformën në Drejtësi, ku ‘meraku’ kryesor qenka rreziku potencial i pezullimit të Presidentit të Republikës.
I thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës.
Presidenti nuk pezullohet, vetëm nëse vendos të vetëpezullojë veten.”
Meta nuk ka specifikuar konkretisht se cilat janë nismat ligjore që kundërshton, por reagimi i tij vjen në një kohë kur në skenën politike po diskutohet për ndryshime që prekin sistemin e drejtësisë.