
Liderët kryesorë të Bashkimit Europian do të takohen me disa nga drejtuesit më të fuqishëm të industrisë në Antuerpë, përpara një samiti joformal vendimtar që do të zhvillohet më vonë gjatë javës dhe që do të fokusohet te konkurrueshmëria e ekonomisë europiane, përcjell Euronews.
Takimi zhvillohet në një moment kur balanca e pushtetit mes industrisë dhe lidershipit politik po ndryshon, me theks të veçantë në reduktimin e burokracisë dhe uljen e kostove për kompanitë europiane, të cilat përballen me çmime të larta të energjisë, tarifa tregtare dhe konkurrencë në rritje nga Kina.
Në takim pritet të marrin pjesë kryeministri belg Bart De Wever, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Përpara takimit, Ursula von der Leyen premtoi vazhdimin e reduktimit të burokracisë për bizneset, duke e bërë rritjen e konkurrueshmërisë prioritet kyç të mandatit të saj të dytë.
Në një letër të publikuar të hënën, ajo bëri thirrje për thellimin e tregut të përbashkët europian, që lidh 450 milionë konsumatorë, përmes heqjes së barrierave të brendshme mes vendeve anëtare.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, barrierat aktuale brenda BE-së përkthehen në një efekt të barabartë me 45% tarifë për mallrat dhe 110% për shërbimet, duke frenuar potencialin e tregut më të madh të integruar në botë.
Von der Leyen premtoi gjithashtu të kufizojë praktikën e ashtuquajtur “gold plating”, kur shtetet anëtare shtojnë rregulla shtesë mbi direktivat europiane, duke rritur kostot për bizneset, veçanërisht për ato të vogla.
Këto qëndrime përputhen me kërkesat e Romës dhe Berlinit. Në një samit dypalësh muajin e kaluar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kërkuan më pak rregulla dhe një qasje më pragmatike ndaj politikave klimatike, duke vendosur industrinë automobilistike në qendër të strategjisë industriale europiane.
Ndërkohë, Franca ka propozuar një qasje tjetër, duke promovuar një preferencë europiane që synon t’i japë përparësi produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në BE në tenderët publikë, si dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit brenda unionit.
Macron e ka cilësuar këtë si një strategji mbrojtjeje, por jo proteksionizëm, duke synuar forcimin e prodhimit vendas.
Drejtues nga sektorë të ndryshëm – nga industria kimike te ndërtimi dhe prodhimi – synojnë të ndërtojnë mbi Deklaratën e Antuerpës të vitit 2024, e cila u nënshkrua nga 73 liderë të industrisë dhe mbështetet nga më shumë se 1,000 kompani.
Deklarata kërkon që BE-ja të adresojë “nevojat urgjente të industrisë europiane” dhe të sigurojë “qartësi dhe parashikueshmëri” në politikat industriale.
Plani përfshin eliminimin e mospërputhjeve rregullatore, objektivave konfliktuale dhe kompleksitetit të panevojshëm legjislativ, si dhe mobilizimin e mbi 100 miliardë eurove për tranzicionin e gjelbër, përmes një akti të ri të quajtur Industrial Accelerator Act.
Megjithatë, shtytja drejt politikave më pro-industriale ka ngritur shqetësime nga organizata mjedisore dhe grupe monitoruese, të cilat paralajmërojnë për rritjen e ndikimit të lobimit industrial në procesin vendimmarrës.
“Deregullimi nuk është strategji industriale. Pretendimi se politikat klimatike janë shkaku kryesor i vështirësive të industrisë europiane nuk qëndron”, thuhet në një deklaratë të organizatës Climate Action Network Europe.
Sipas ekspertëve, ulja e burokracisë mund të ndihmojë në afat të shkurtër, por nuk përbën një strategji të qëndrueshme afatgjatë për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën.
Samiti joformal i kësaj jave pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të politikës industriale europiane, në një kohë kur BE-ja kërkon të ruajë pozicionin e saj në një ekonomi globale gjithnjë e më konkurruese.