Vendosni fjalën kyçe....

Konstituohet Kuvendi i Kosovës


Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mbledhur sot në Kuvendin e Kosovës, ku fillimisht kanë bërë betimin solemn, duke hapur zyrtarisht legjislaturën e re.

Më pas është kaluar në procedurën për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Për këtë post është propozuar Albulena Haxhiu, e cila në votim mori 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime, duke u zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Pas zgjedhjes së saj, subjektet politike propozuan kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit:

Hekuran Murati (LVV) propozoi Ardian Golën për nënkryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Blerta Deliu-Kodra (PDK) propozoi Vlora Çitakun.

Besian Mustafa (LDK) propozoi Kujtim Shalën.

Igor Simiç, në emër të Listës Serbe, propozoi Sllavko Simiqin.

Elbert Krasniqi propozoi Emilija Rexhepin.

Në votimin për nënkryetarët morën pjesë 115 deputetë: 104 votuan për, 3 kundër dhe 6 abstenuan.

“Me zgjedhjen e nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar”, deklaroi Kryetarja Haxhiu.

Në përfundim të seancës, ajo njoftoi se gjatë mbrëmjes do të mbahet një tjetër seancë plenare, e cila do t’i kushtohet formimit të Qeverisë së Kosovës.